Dy persona përfunduan në spital pasi u sulmuan nga një ari në qytetin sllovak të Liptovský Mikuláš. Sipas BBC, një grua 49-vjeçare pësoi dëmtime në shpatull, ndërsa një 72-vjeçar u trajtua për plagë në kokë. Në një video të postuar në rrjetet sociale shihet ariu që vrapon në rrugë. Ndërsa në një tjetër, ai hedh përtokë një burrë.
Lajmi vjen një ditë pasi një 31-vjeçare ra nga lartësia dhe gjeti vdekjen në përpjekje për t’i shpëtuar një ariu pranë zonës malore të Low Tatra, në Bjellorusi. Ajo po ecte së bashku me një mikun e saj në një zonë të dendur pyjore dhe me gremina të thepisura, kur përballë u doli ariu. Të dy vrapuan në drejtime të kundërta. Trupi i së resë u zbulua pak kohë më pas nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Në Sllovaki ka pasur një sërë sulmesh nga arinjtë përgjatë viteve të fundit, përfshirë një fatal në 2021-n, i cili në atë kohë u raportua si i pari i këtij lloji pas një shekulli.
Mbrojtja më e mirë mjedisore në Europën Qendrore dhe atë Lindore, që prej 1989-s, ka bërë që arinjtë të rikthehen në habitatin e tyre natyral.
Në Sllovaki herë pas herë është bërë thirrje për heqjen e mbrojtjes ndaj arinjve në mënyrë që numri në rritje i tyre të rregullohet nëpërmjet gjuetisë. Megjithatë hulumtuesit thonë se nuk ka mbipopullim të arinjve në këtë shtet dhe se popullsia e tyre mbetet stabël me rreth 1 275./tvklan.al