Ballina Bota Si dhe pse Ukraina filloi një sulm tokësor ndaj Rusisë

Si dhe pse Ukraina filloi një sulm tokësor ndaj Rusisë

Forcat ruse po zhvillojnë beteja të ashpra kundër forcave ukrainase që janë infiltruar në kufirin jugor të Rusisë, në rajonin e Kurskut, pranë një qendre kryesore të transportit të gazit natyror, në vazhdën e një prej inkursioneve më të mëdha në territorin rus që nga fillimi i luftës.

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës, në analizën e tij të përditshme të zhvillimeve në Ukrainë, vëren se forcat ukrainase kanë bërë një përparim deri në 10 kilometra në rajonin Kursk të Rusisë.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të rajonit të Kurskut, Alexei Smirnov, tha se kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin kufitar. Zyrtarët e qarkut thanë se kjo nënkupton kufizimin e aksesit në zona të caktuara.

Ministria ruse e Shëndetësisë raportoi se 31 civilë, përfshirë gjashtë fëmijë, u plagosën, por kjo nuk mund të konfirmohej nga media e pavarur. Nuk kishte asnjë informacion për viktimat ushtarake. Garda Kombëtare e Rusisë ka njoftuar se ka rritur sigurinë rreth termocentralit bërthamor Kursk dhe katër reaktorëve të tij.

Reuters, duke cituar një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes, raportoi se të mërkurën forcat ukrainase përparuan në veriperëndim të qytetit kufitar Shuja , 530 km në jugperëndim të Moskës.

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës, duke cituar një burim rus të informacionit konfidencial dhe disa burime të tjera ruse, thotë se forcat ukrainase luftuan dhe kapën pikën e kontrollit të Shujës dhe stacionin e shpërndarjes së gazit Shuja. Imazhet e gjeolokuara të publikuara më 7 gusht tregojnë se forcat ukrainase kapën më shumë se 40 të burgosur rusë të luftës në postbllokun e Sujës.

 

Reagimi i Putinit

“Regjimi i Kievit ka lëshuar një tjetër provokim të madh,” u tha Vladimir Putin anëtarëve të qeverisë ruse, duke iu referuar sulmit në rajonin e Kurskut.

Shefi i shtabit të Rusisë, Valery Gerasimov, i tha Putinit se forcat ruse kishin frenuar avancimin e deri në 1,000 trupave ukrainase, më shumë se trefishi i numrit të raportuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes të martën, dhe do t’i shtynin ata përsëri në kufi.

“Përparimi u ndal nga veprimet e njësive që mbulojnë kufirin shtetëror së bashku me rojet kufitare dhe njësitë e përforcimit, me sulme ajrore, raketa dhe artileri”, tha Gerasimov.

Heshtja nga Kievi

Presidenti Zelensky nuk e përmendi sulmin, ndërsa u bëri thirrje trupave të Kievit të bëjnë presion në dobësimin e forcave ruse.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës gjithashtu nuk pohoi asgjë në përditësimin e tij të përditshëm nga fusha e betejës. Në një deklaratë për shtyp, ai tha se luftimet ishin intensifikuar në zonën e Sumit. Shtabi i Përgjithshëm tha se forcat ruse kishin vendosur avionë, helikopterë dhe armatime të rënda në zonë por nuk përparuan dhe pësuan disfatë, duke regjistruar shumë humbje njerëzore.

Të mërkurën në mbrëmje, ligjvënësi ukrainas Oleksii Khotsarenko tha se ushtria ukrainase ka marrë kontrollin e qendrës së gazit Shuja, një objekt i madh gazi i përfshirë në transportimin e gazit natyror nga Rusia në BE përmes Ukrainës, e cila vazhdoi pavarësisht luftës. Kjo është e vetmja pikë hyrëse për gazin natyror rus në BE.

Kritika nga brenda

Ekspertët ushtarakë rusë kritikuan ashpër komandën ushtarake ruse për moszbulimin e përgatitjeve ose parandalimin e operacioneve të Ukrainës në rajonin e Kurskut.

Disa ekspertë u ankuan se forcat ruse duhet të kishin parandaluar operacionet ukrainase pasi e dinin se ushtria ukrainase kishte ndërtuar forca në zonë muajt e fundit.

Disa nga ekspertët u ankuan se reagimi i pamjaftueshëm i komandës ushtarake ruse ishte për shkak të mungesës së shqetësimit për forcat ukrainase të grumbulluara në rajon, besimit joreal në mbrojtjen ruse në zonën kufitare, supozimeve për lodhjen e forcave ukrainase ose raporte të rreme për situatën.

SHBA “nuk ishte në dijeni” dhe nuk komentoi

Në Uashington, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin njohuri paraprake për ofensivën.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, tha se rregullat e SHBA-së për përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina ende zbatohen, por se veprimet aktuale të Ukrainës nuk janë shkelje e politikës së SHBA.

Çfarë ndodhi me Shujën?

Reuters raporton se ka pasur luftime rreth Shujës, pika e fundit operacionale për transportin e gazit natyror rus në Evropë përmes Ukrainës.

Tubacioni Urengoy–Pomary–Uzhhorod transportoi rreth 14.65 miliardë metra kub gaz natyror në vitin 2023, rreth gjysma e eksporteve të gazit natyror të Rusisë në Evropë.

Kompania e transmetimit të gazit natyror të Ukrainës tha se gazi rus po rrjedh normalisht për konsumatorët evropianë. Vetëm 60 kilometra në verilindje ndodhet termocentrali bërthamor Kursk.

Luftimet rreth Shujës po vijnë në një moment kritik të konfliktit.

Kievi është i shqetësuar se mbështetja e SHBA-së mund të zbehet nëse Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Trump ka thënë se do t’i japë fund luftës dhe Rusia dhe Ukraina duan të fitojnë pozicionin më të fortë të mundshëm negociues në fushën e betejës.

Ukraina dëshiron të ndalojë forcat ruse dhe t’i tregojë Perëndimit se mund të luftojë ende beteja të mëdha.

Ekspertët ushtarakë rusë e portretizuan situatën në rajonin e Kurskut si më serioze sesa “llogaritë zyrtare”, me disa prej tyre që pretendonin se Ukraina kishte hapur një front të ri lufte. Rusia ka dërguar forca rezervë për të ndihmuar mbrojtjen e saj.

Disa ekspertë kanë spekuluar se Ukraina mund të jetë duke planifikuar një sulm në termocentralin bërthamor Kursk.

Medvedev bën thirrje për inkursion më të shpejtë

Forcat ruse duhet të bëjnë presion më tej në Odesa, Kharkiv, Dnipro, Mykolaiv , Kiev, tha nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe ish-presidenti, Dmitry Medvedev.

Duke komentuar inkursionin ukrainas në rajonin e Kurskut, ai tha se operacioni i Rusisë duhet të synojë thjesht sigurimin e territorit që Moska e konsideron të sajën, por shtoi se forcat ruse duhet të ndalojnë përparimin vetëm kur është e dobishme./vizionplus.tv