Nga Blendi Gashi
Për vite me radhë rrugëtuan bashkë, disa prej tyre në kohë të vështira e disa paslufte, por interesat e ngushta jua prishën miqësinë. Fjala është për një numër jo të vogël të politikanëve kosovarë të cilët tashmë nuk e shohin njëri-tjetri me sy.
Në këtë grup (ar)miqsh bëjë pjesë pothuajse liderët kryesorë të të gjitha partive. Janë afër 15 politikanë aktivë në skenën politike kosovare që nuk flasin mes vete për arsye nga më të ndryshmet.
Përmes këtij shkrimi, tesheshi do të tergojë se kush janë ata që dikur ishin miq të pandashëm, e sot janë bërë armiq aq të mëdhenj sa nuk ka mbetur asnjë përshëndetje mes tyre.
Hashim Thaçi – Fatmir Limaj
Presidenti Thaçi dhe kreu i NISMA-s, Limaj kanë pasur një miqësi tejet të madhe që nga lufta dhe pas saj. Ata ishin të pandashëm edhe pasluftës dhe me marrjen e pushtetit nga PDK u bën figurat kyçe në qeveri, ku Thaçi mbante pozitën e kryeminsitrit kurse Limaj të ministrit të Transportit.
Por papritmas kjo miqësi e tyre u thye në vitet 2009-2010, kohë kjo kur nisën bastisjet në ministrinë që drejtonte Limaj ku dyshohej për korrupsion. Kjo raportohet edhe sot në media si pika ku këta dy prishën përfundimisht miqësinë, por sigurisht jo vetëm, për çka sot nuk flasin mes vete. Personalisht Limaj ka konfirmuar së fundmi se ka vite që nuk ka folur me Thaçin por pa dhënë detaje pse.
Fatmir Sejdiu – Isa Mustafa
Dyshja kryesore e LDK-së pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Edhe këta për jë kohë ishin miq të mirë, ku Sejdiu e mori së pari pranë vetës si këshilltar Mustafën dhe më pas e propozi për kryetar të Prishtinës, për çka edhe fitoi dy mandate.
Miqësia e tyre zgjati deri në nëntor të 2010-tës kur u mbajt Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, kur Mustafa befasoi për të keq Sejdiun duke ju bërë kundërkandidat për kreun e partisë, edhe pse paraprakisht insistonte se nuk do të garonte.
Dhe në fund Mustafa garoi dhe mposhti Sejdiun duke e lënë më pas veç kryetar nderi të partisë. Ky veprim i Mustafës u cilësua si thikë pas shpine nga Sejdiu duke e quajtur një veprim të orkestruar për të marrë kreun e partisë. Nga kjo kohë raportet mes tyre janë prishur dhe kanë pasur akuzave të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit.
Edhe pse u panë bashkë pas disa viteve në një tubim të partisë në Podujevë, ata prapë nuk rikthyen miqësinë dhe sot nuk ka një komunikim normal mes tyre, për të mos thënë fare.
Albin Kurti – Visar Ymeri
Edhe kjo dyshe ishin të pandashëm që nga themelimi i Vetëvendosjes. Rrugëtuan së bashku mbi dhjetë vite duke kundërshtuar qeveritë së pari në rrugë e më pas edhe në Parlament.
Aq ishin miq të mirë sa Kurti në vitin 2015 vendosi t’ia lë “çelësat” e partisë Ymerit. Por pikërisht kryetarllëku i prishi këta të dy tre vite më vonë.
Pas përçarjeve që përplasën në Vetëvendosje ku kjo parti tashmë veç është ndarë në dy grupe, Ymeri doli kundër që Kurti të rikthehet në parti për çka ky i fundit nuk e dëgjoi, çka më pas rezultoi edhe me prishjen e tyre. Dhe seanca e fundit tregoi se vend për miqësi mes tyre nuk ka mbetur pasi ata nuk ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit.
Albin Kurti – Dardan Molliqaj
Përveç me Ymerin, tashmë kryevetëvendosësi Kurti ka prishur raportet edhe me Dardan Molliqajn me të cilin poashtu ishin të pandashëm dhe merrnin çdo vendim në parti, gjë që e ka pohuar vet ky i fundit në një intervistë dhënë për mediat kosovare.
Edhe miqësia mbi 10 vjeçare mes tyre u prish për shkak të karriges së kryevetëvendosësit ku Molliqaj nuk ishte i pajtimit që Kuti të rikthehet në krye të partisë por të zgjedhet një kandidat konsensual.
Kjo nuk u pranua nga Kurti i cili garoi në zgjedhjet e partisë dhe fitoi, çka bëri përfundimisht që të mos ketë gjasa për pajtim.
Sot kjo dyshe që dikur mbanin dhe frizurat e njëjta nuk flasin mes vete dhe janë “armiqt” më të rinj për të mos thënë më të mëdhenjtë në skenën politike kosovare.
Behgjet Pacolli – Mimoza Kusari-Lila
Për dallim nga rastet tjera Pacolli e Kusari-Lila nuk kanë pasur një miqësi të hershme mes tyre. Si një politikane e re Kusari-Lila e cila karrierën politike e nisi si zëdhënëse e qeverisë gjatë kohës sa kryeministër ishte tashmë i ndjeri Bajram Rexhepi, ajo vendosi ta vazhdoi karrierën politike te AKR-ja. Në këtë parti ajo kishte besimin e plotë të Pacollit për çka e bëri edhe zv.presidente. Pas hyrjes së AKR-së në qeveri, Kusari-Lila përfitoi më së shumti pasu u bë edhe zv.kryeministre dhe më pas ministre e Tregtisë dhe në fund edhe kryetare e Gjakovës. Por pasi trokitën zgjedhjet parlamentare dhe AKR-ja mbeti jashtë dhe Pacolli disi humbi nga skena politike, Kusari-Lila nisi të kritikoi partinë dhe vet Pacollin.
Ajo më pas u largua nga AKR-ja siç tha me arsyetimin se dëshiron ta formon një subjekt të ri, çka më pas edhe e bëri, që tashmë quhet Alternativa.
Por ika e saj e nervozoi Pacollin i cili tha se Kusari-Lila u largua për arsye oportunise duke thënë se ajo e ka qenë përfituese dhe se ka shfrytëzuar AKR-në si trampolinë.
Në fushatën për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, ku AKR e Alternativa e Kusari-Lilës lidhën koalicion me LDK-në, kësaj dyshe shpeshherë i ka rënë të ulen pranë njëri-tjetrit. Ka pasur raste që nuk janë përshëndetur fare por edhe që kanë bërë një gjë të tillë.
Shpend Ahmeti – Ilir Deda
Në tetor të 2010 formuan subjektin politik “Fryma e Re”, por nuk ju eci dhe u shua më 30 mars të 2011. më pas të dy përfunduan në Vetëvendosje. Ahmeti vazhdon të jetë aty, ndërsa Deda është larguar prej dy vitesh.
Ahmeti dhe Deda nga opinioni njiheshin si mendjet liberale dhe miq të mirë. Edhe pse saktësisht nuk dihet pse u prishën raportet mes tyre Si arsye përmendet afrimi gradual i FER-istëve me Lëvizjen Vetëvendosje dhe më pas aderimi i Shpend Ahmetit i cili u emërua edhe nënkryetar i VV-së.
Kjo fare nuk i pëlqeu Dedës i cili sipas raportimit të mediave kosovare është shprehur se pavarësisht rezultateve “Partia FER” ka pasur obligim politik dhe publik të veprojë në përputhje me përgjegjësinë e saj ndaj qytetarëve të Kosovës.
Se nuk ka komunikim me Ahmetin e ka pranuar edhe Deda i cili ka thënë se “nuk jemi pa, sepse nuk kemi pasur arsye për t’u parë”.