Fatos Lubonja ka analizuar protestën e së shtunës, të thirrur nga opozita.
Ai e vë theksin se protesta kishte disa arritje, por dhe mangësi, si pjesmarrja e vogël.
Sipas Lubonjës, ka disa arsye pse njerëzit i rrinë larg opozitës, dhe një prej tyre, sipas tij, është fakti se Lulzim Basha e ka kompleks dhunën, pasi e kritikojnë të huajtë.
“Një kufizim tjetër i opozitës është edhe kompleksi i saj ndaj ndërkombëtarëve. Ajo e ka më shumë problem t’u tregojë atyre se nuk është e dhunshme, se sillet mirë, sesa të marrë përsipër nxjerrjen e shqiptarëve nga balta.
Por shembulli i protestës së Kukësit – që jo rastësisht nuk ishte e organizuar nga opozita, – tregoi se një qeveri e tillë dhe një Kryeministër i tillë, të tallin e përqeshin po nuk u tregove se je në gjendje t’i përgjigjesh dhunës strukturore që ata ushtrojnë (me vendimmarrjet e tyre arrogante dhe korruptive, me keqpërdorimin e Policisë dhe Prokurorisë, dhunën verbale të rilindësve etj.), me mjete dhe forma që t’i bëjnë të ndjejnë frikë”, shkruan Lubonja për Panorama.
“Dyshimi se nesër mund të ulen të gjithë rrotull tepsisë së bashku me Ramën apo pa Ramën, nën bekimin e ndërkombëtarëve që gjithherë kanë mbështetur interesat e tyre dhe stabilitetin mbi demokracinë në këtë vend, mbetet shumë i madh ndër njerëzish.
Ky dyshim është si ai uji që ka lagur e lag një turrë drush, duke mos e lënë atë të ndizet për të na ngrohur”, vijon më tej ai.(TemA)