Një nënë e martuar me tre fëmijë me shtetësi amerikane dhe asnjë rekord kriminal u dëbua të mërkurën për në Shqipëri dhe bashkëshorti tha se asaj nuk iu dha shansi për t’i thënë as “mirupafshim” familjes së saj.
Cile Precetaj, 46 vjeç, u arrestua pak kohë më parë kur ajo aplikoi për një leje qëndrimi, gjatë një vizite rutinë mujore në zyrën e Detroit ICE, më 26 Prill.
Bashkëshorti i saj, Pete Gojcaj tha se atij iu tha se do të lajmërohej nëse gruaja do të largohej nga vendi.
“Fëmijët e mi janë të shkatërruar. Ata nuk mund të ndalojnë së qari”, tha Pete Gojcaj në Detroit Free Press të enjten. “Fëmijët e mi janë të traumatizuar”.
Pete thotë se gruas së tij nuk iu dha mundësia t’i thoshte mirupafshim atij ose fëmijëve të tyre dhe ai mësoi për largimin e saj kur e telefonoi nga Gjermania mëngjesin e së enjtes, duke i thënë se ajo ishte rrugës për në Shqipëri me dy agjentë të ICE (Zyra e Emigrimit).
Megjithatë, Khaalid Walls nga zyra e ICE në Detroit tha për DailyMail.com se familja në të vërtetë ishte njoftuar se ajo do të deportohej.
Walls tha: “Familja u njoftua për disa ditë para deportimit të saj dhe kishte dorëzuar valixhen dhe sendet e saj personale te Zyra e Emigrimit”.
Përveç kësaj, në lidhje me çështjen e Ciles, ICE shton se në Qershor të vitit 2005, znj. Precetaj, një shtetase ilegale në SHBA me origjinë shqiptare, u urdhërua të largohej nga Shtetet e Bashkuara nga një gjykatës federal i emigracionit.
Megjithatë ajo kishte apeluar në Bordin e Apelimit të Emigracionit dhe një Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të 6-të.
“Urdhëri për largimin e znj. Precetaj mbeti në fuqi. Për më shumë se një dekadë mes 2007 dhe 2018, ICE lejoi Precetaj që të mos shkonte në paraburgim, duke shteruar të gjitha mundësitë e saj ligjore për lehtësim”.
Më 26 Prill, Precetaj e dërgoi përsëri dosjen në Gjykatën e Apelit të Qarkut të 6-të, duke shtuar se “ICE përqendron burimet e saj të zbatimit tek individët që paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare, sigurinë publike dhe sigurinë kufitare”.
ICE shton: “Megjithatë ICE nuk përjashton të gjithë ata që shkelin rregullat e emigracionit. Të gjithë janë subjekt i këtyre ligjeve dhe nëse gjenden të tillë duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara”.
Pete është një emigrant jugosllav që ka jetuar në SHBA për 30 vjet dhe ka në pronësi një restorant.
Fëmijët e tyre janë të moshave 8, 10 dhe 16 vjeç.
Cile aplikoi për azil në vitin 2000, duke thënë se kriminelët e rrezikshëm në Shqipëri donin ta rrëmbenin dhe ta kthenin atë në prostitutë.
“Unë dua që njerëzit të luten për ne”, tha Cile në një intervistë telefonike për Free Press përpara se të deportohej.
“Kurrë nuk kemi bërë ndonjë krim. Ne kemi ardhur këtu për një jetë më të mirë dhe për një edukim më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është e vetmja arsye pse jemi këtu dhe i lutem Zotit që të funksionojë”./tvklan.al