Ballina Aktualitet Rajoni Serbët në Mal të Zi kërkojnë referendum për anulimin e njohjes së...

Serbët në Mal të Zi kërkojnë referendum për anulimin e njohjes së Kosovës

Kryetari i Këshillit Kombëtar serb në Mal të Zi, Momçillo Vuksanoviq, e ka njoftuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, se kjo organizatë fillon iniciativën për anulimin e vendimit të Qeverisë malazeze për njohjen pavarësisë së Kosovës.

Ai kryetarit malazez i ka treguar edhe për idenë e mbajtjes së referendumit lidhur me njohjen e Kosovës, ndërsa e ka kërkuar përkrahjen e tij për këto ide.

“Përkrahja juaj për iniciativën e mbajtjes së referendumit për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës do të kishte qenë nxitje e fuqishme për proceset demokratike në Mal të Zi dhe rast i mirë për zhvillimin e tolerancës dhe pajtimit e kështu do t’i shtohej vlera rëndësisë historike të marrëdhënieve më të afërta të Malit të Zi e të Serbisë”, citon gazeta “blic” e Beogradit të ketë shkruar Vuksanoviq në letrën dërguar Gjukanoviqit.

Sipas kësaj gazete, Vuksanoviq e ka lutur Gjukanoviqin që më së voni deri më 1 korrik me shkrim të deklarohet nëse e përkrah iniciativën e këtij organizmi politik për këtë referendum, transmeton Koha.net.

Sipas Vuksanoviqit iniciativa për referendum është nxitur nga vullneti i shumicës qytetare në Mal të Zi.