Kryeministri bullgar Bojko Borisov u takua në Kryeministri me kreun e ekzekutivit Edi Rama, por ai ndodhet në Tiranë edhe për një “mision” tjetër, të cilin e tregoi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Borisov tha se në kuadër të luftës kundër terrorizmit ka propozuar në takimin “Aqaba Meeting”, një iniciativë e Mbretit të Jordanisë, Abdullah, që për herë të parë organizohet jashtë vendit të tij dhe pikërisht në Shqipëri, që vendi ynë të bëhet “qendër e koordinimit për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”.
“Ne vendet anëtare do të dërgojmë një oficer për lidhje që të kemi një shtab të organizuar për luftën e përbashkët kundër radikalizmit dhe terrorizmit. Ne përdorim sistemin informativ të Shengenit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë për të kuptuar se ka rrezik apo jo”, tha Borisov.
“Mund të them se procesi Aqaba me mbështetjen e mbretit të Jordanisë është mjaft me rëndësi. Pikërisht ky proces është kundër luftës ndaj terrorizmit dhe radikalizmit. Është një proces që i jep mundësi organeve të mbrojtjes së ligjit që të afrohen dhe të bashkëpunojnë”, shtoi më tej Borisov.
Kryeministri bullgar shtoi se është i bindur se “Ballkani mund të bëhet një vend më i mirë për të jetuar”, por shprehu shqetësimin edhe për ndërhyrjen turke në rajon dhe ndikimin e tyre të madh kryesisht në Kosovë.
“Shqetësohem kur dëgjoj se ushtria turke zhvillon stërvitje pranë Kosovës dhe manovra ajrore. Në këtë mënyrë ne do të zhvillojmë stërvitje të përbashkëta ushtarake”, theksoi Borisov.