Ballina Aktualitet Kosovë Shkoi në mal dhe nuk u kthye më – rrëfimi i familjarëve...

Shkoi në mal dhe nuk u kthye më – rrëfimi i familjarëve të 57-vjeçarit të zhdukur

Terreni për të shkuar në vendin ku dyshohet se ka humbur 57-vjeçari nga Malisheva, u vështirësua edhe më shumë nga moti. E kjo nuk i ndali më shumë se 200 persona që për të tretën ditë të vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Muharrem Berishës.

Gjithçka që kanë gjetur deri më tani, 15 kilometra larg shtëpisë në malet e fshatit Gunbardh është kjo karrocë dore me dru që Berisha i kishte prerë.

Mëngjesin e të dielës, Muharremi si çdo ditë tjetër kishte dalë nga shtëpia.

Fakti që s’u kthye në shtëpi tash e tre ditë i ka mërzitur familjarët. Ai vuante nga një sëmundje e harresës, e kjo dyshohet të jetë edhe arsyeja pse nuk u kthye më në familje. Vëllai i tij, Azemi thotë për FRONTAL se kjo që i ka ndodhur familjes së tij është shumë e vështirë.

Përveç, familjarëve e shumë bashkëfshatarëve në vend të ngjarjes kanë dalë policia, FSK-ja e edhe pjesëtarë të komunës.

Nga kur mori lajmin për zhdukjen bashkëfshatarit të tij, në kërkime ka qenë edhe nënkryetari i komunës. Hajdin Berisha deklaron se tashmë janë marrë të gjitha masat e nevojshme konform ligjit për menaxhim të emergjencave.

Moti e orët e gjata të kërkimit, nuk kanë ndalur njerëzit e fshatit Gunbardh. E në familjen e të zhdukurit, në ankth po pritej për ndonjë lajm për familjarin e tyre.

Muharrem Berisha është vetëm njëri nga disa rastet që së fundmi janë raportuar të zhdukur. Nga Policia e Kosovës, bënë të ditur për FRONTAL se vetëm në katërmujorin e parë të 2018-s, si persona të zhdukur u raportuan 56 persona.