Duket se kufiri i Shqipërisë është jashtë kontrollit të policisë.
Në këtë konkluzion dilet kur mësohet se vetëm në 24 orë, 36 refugjatë janë vetëdorëzuar dhe kapur nga policia në Tiranë e Shkodër.
Kështu thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit të bërë në faqen zyrtare.
Sipas policisë, 36 refugjatë nga vende të Afrikës veriore janë shoqëruar për në ambientet e Qendrës së Pritjes në Babrru.
Në Tiranë
Më datë 14.07.2018, në DVKM Tiranë, janë paraqitur 12 shtetas të huaj 5 Irakenë, 4 Marokenë, 2 Jemenas dhe 1 Somalez, të cilët deklarojnë se më datë 11.07.2018, në afërsi të S.P.K Kakavijë, kanë hyrë ilegalisht. Në përfundim të kryerjes së procedurave kërkuan azil dhe u dërguan në QKPA, Babru Tiranë.
Në Shkodër
Më datë 14.07.2018, në Hanin e Hotit, në kufirin e gjelbër nga shërbimet e policisë kufitare u kapën 5 shtetas të huaj nga vendet e treta, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët janë shoqëruar për në Babru Tiranë në pritje të plotësmit të dokumentacionit për kthim vullnetar në vendin e origjinës.
Më datë 13.07.2018, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe DVP Shkodër, në hyrje të qytetit, u kapën 19 shtetas të huaj, 13 Irakenë, 5 Sirianë dhe 1 Algjerian, emigrantë të paligjshëm. Në përfundim të procedurave, u dërguan në qendrën e azilkërkuesëve në Babrru, Tiranë.