Ballina Bota Erdogan merr kontrollin e ushtrisë

Erdogan merr kontrollin e ushtrisë

Qeveria e presidentit turk, Erdogan, ka marrë në kontroll ushtrinë e vendit dhe shtabin qëndror. Ky zhvillim ka ndodhur në përvjetorin e dytë të grushtit të dështuar të shtetit. Erdogan njoftoi se do të vijojë beteja kundër ndjekësve të imamit Gylen, të cilin e akuzon si organizator të grushtit të shtetit.

Presidenti i Turqisë nuk njeh limite dhe vijon të zgjerojë pushtetin e tij. Qeveria e re turke e Rexhep Tajip Erdogan do të kontrollojë stafin e përgjithshëm të ushtrisë. Kjo u mundësua me një dekret të lëshuar në bazë të fuqive të reja të sistemit presidencial, në ditën kur Turqia përkujton përvjetorin e dytë të grushtit të dështuar të shtetit. Tashmë Forcat e armatosura kalojnë nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes, në kokën e të cilit Erdogan emëroi ish-shefin e shtabit të Ankarasë disa ditë më parë, Hulusi Akar.

Ndërkohë, në një event për 15 Korrikun, Presidenti i Turqisë tha se organizata e drejtuar nga imami Fetullah Gylen, ashtu si kurdët dhe ISIS, si dhe organizata të tjera të ngjashme duan të rrezikojnë unitetin dhe të ardhmen e vendit. Me rastin e përvjetorit të dytë të përpjekjes së dështuar të grusht shtetit, për të cilin Ankaraja akuzon imamin Gylen dhe organizatën e tij, duke iu referuar me shkrutimin FETO, Erdogan porositi se Turqia dhe populli i saj nuk do ta harrojnë dhe as nuk do të lejojnë që të harrohet 15 Korriku.

“Nuk do të ndalojmë së luftuari kundër FETO-s. Do t’i zbulojmë dhe do t’i shkatërrojmë të gjitha celulat dhe poret ku ata kanë deportuar”, paralajmëron Erdogan, duke lënë të kuptohet se do të vijojë me heqjen nga puna të qytetarëve që dyshohen se kanë qenë pjesë e strukturave të Gylen. Ndërkohë, nga ana tjetër, kleriku që jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjet e 15 Korrikut të 2016-s./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews