Ballina Bota Analiza “Financial Times”: Agjentët e dëbuar rusë punonin për rrëzimin e qeverisë “Tsipras”

“Financial Times”: Agjentët e dëbuar rusë punonin për rrëzimin e qeverisë “Tsipras”

Rusët e dëbuar nga Greqia në fillim të kësaj jave synonin rrëzimin e qeverisë “Tsipras”, për të shkatërruar marrëveshjen për emrin e ri të Maqedonisë dhe për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.

Zbulimi vjen nga prestigjiozja londineze “Financial Times” dhe mediat greke, sipas të cilave shërbimet sekrete ruse e kishin shndërruar Aleksandropolin, një qytet në verilindje të Greqisë, në vatrën e aktivitetit për zgjerimin e influencës së Moskës në Europën Juglindore.

Dy diplomatët e dëbuar dhe dy shtetas të tjerë rusë, të cilëve iu ndalua hyrja në Greqi ishin përpjekur të korruptonin 3 deputetë të “Grekëve të Pavarur”, aleati i dytë më i madh i koalicionit qeverisës.

Ata synonin të ushtronin influencë edhe mes klerit ortodoks dhe grupeve radikale të djathta.

“Financial Times” shkruan se një nga përpjekjet korruptive dështoi pasi u zbulua nga një oficer ushtarak në Aleksandropol, i cili informoi eprorët e tij.

Në këtë qytet ndodhet një qendër kulturore e financuar nga Moska, për shkak të pranisë së minoritetit rus.

Banorët vendas thonë se me 20–30 mijë euro, biznesmenët lokalë mund të korruptohen, për shkak të varfërisë që mbizotëron aty.

Pavarësisht se ministria e Jashtme ruse i mohoi akuzat, zyrtarët e qeverisë greke shprehen të indinjuar dhe thonë se ndërhyrje të tilla nuk ka pasur as gjatë luftës së ftohtë, kur Greqia ruante marrëdhëniet e mira me Rusinë.

Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit thanë se ky rast është një tjetër fakt se Moska vijon të jetë e interesuar për zgjerimin e influencës destruktive në rajon, pas tentativave të ngjashme në Mal të Zi dhe Maqedoni.

@tn.lajmelokale
@tetovanews