Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori vendim që të heqë gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake të ushtrisë serbe.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë thuhet se Vuçiq, mëngjesin e sotëm, në përputhje me autoritetin e tij, i dha urdhër ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, dhe kreut të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralit Millan Mojsilloviq, për çlirimin e forcave nga gjendja e reagimit të shpejtë dhe urgjent.
Vuçiq, i cili është edhe komandant i lartë i ushtrisë serbe, ka urdhëruar vënien e forcave në gjendje të lartë gatishmërie pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar Liqenin e Ujmanit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, më 29 shtator.
Thaçi ka vizituar Ujmanin dhe vendkalimin kufitar Bërnjak me përcjelljen e forcës speciale të Kosovës ROSU.
Vuçiq ka thënë se me shkuarjen e ROSU-së në veri janë shkelur disa marrëveshje ndërkombëtare dhe se është kërcënuar paqja.
Thaçi u ka thënë gazetarëve se vizita e tij ka qenë “rutinore”./rel/