Zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katragulos, në një intervistë të dhënë për radion greke “News 247” ka shprehur bindjen e tij se vendi do të respektojë frymën e Marrëveshjes së Prespës dhe se ajo do të ratifikohet në Greqi. Duke komentuar ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, ai ka deklaruar se është ripërtrirë një kornizë shumë e mirë e komunikimit mes dy vendeve.
Jorgos Katragulos
“Është ripërtrirë një kornizë shumë e mirë e komunikimit dhe bashkëpunimit me palën tjetër, në të cilën i ndjekim ndodhitë. Nuk dyshoj se fqinjët tanë, ashtu si edhe ne, e respektojnë frymën e Marrëveshjes së Prespës dhe se kjo do të ketë reflektimin e duhur në implementimin e ndryshimeve kushtetuese që janë në rrjedhë”.
Në lidhje me atë se a do të shkojë dhe a do të kalojë Marrëveshja e Prespës në Kuvendin grek, Katragulos ka përsëritur qëndrimin e tij, të shprehur edhe gjatë mbledhjes ministrore në Selanik.
Jorgos Katragulos
“Prej në fillim kam thënë se nuk kam as dyshimin më të vogël për ratifikimin e marrëveshjes”.
Procesi i ndryshimeve kushtetuese, detyrim ky që del nga Marrëveshja e Prespës, parashihet që të përfundojë në muajin janar. Pas votimit të nevojës për ndryshime kushtetuese dhe amandamenteve që duhet të ndryshohen dhe të cilat u votuan në komisionet e vendit, tani ato duhet të votohen edhe në seancë plenare. Seanca për këtë çështje është caktuar më 1 dhjetor.
Teuta Buçi /SHENJA/
https://youtu.be/TALe1AOK1iI