Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot mori pjesë në takimin e mëngjesit, së bashku me liderë tjerë, të ftuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës.
“Austria është vend mik që i ka dhënë Kosovës mbështetje të vazhdueshme në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe tani është momenti që të shtyjë përpara në agjendën e BE-së edhe çështjen e liberalizimit të vizave”, tha kryeministri Haradinaj, duke përmendur faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë proces të vëna nga Bashkimi Evropian.
Ndërsa Haradinaj kërkoi mbështetje nga Kurz për liberalizimin e vizave, kancelari austriak Kurz u fokusua në diçka tjetër.Kurz tha se është nder për të që t’i ketë gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, duke falënderuar komisionerin Hahn për prezencën.
Më tej, kancelari Kurz tha se Austria është historikisht partner i fortë i vendeve të Ballkanit Perëndimor.“Mendojmë se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm atëherë kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Stabiliteti i Evropës është i varur nga stabiliteti i vendeve të Ballkanit”, tha kancelari Kurz.
Ndërkaq, komisioneri Hahn tha se ky është një rast i mirë për të diskutuar dhe për të larguar të gjitha barrierat që vendet e Ballkanit kanë mes vete dhe të shtohet bashkëpunimi veçmas në fushën e konektivitetit dhe digjitalizimit, për të cilën tha se BE do të vazhdojë mbështetjen.