Ballina Bota Analiza ANALIZA: Si e krijoi Turqia krizën e borxhit

ANALIZA: Si e krijoi Turqia krizën e borxhit

Nga Cagan Koc dhe Ercan Ersoy

Modeli i rritjes së Erdoganit u mbështet kryesisht nga paraja e lirë. Por në vitin 2018, situata ndryshoi, shkruan Bloomberg në një speciale për krizën e borxhit turk. “Secili prej nesh këtu në Turqi, mund të ketë kaluar një situatë falimentimi, shprehet Cem Sari, një prej personave që e ka përjetuar edhe vetë një situatën në fjalë, në një vit që u shndërrua në një traumë të vërtetë kombëtare.

Ekonomia e Turqisë gumëzhinte në vitin 2018 me ritme rritjeje që ishin kthyer në zilinë e së gjithë botës, por së bashku edhe me dobësitë e saj të akumuluara ndër vite. Ajo ishte si një makinë, e cila mund të ecte me shpejtësi gjithnjë e më të madhe, për aq kohë sa drejtuesi i saj do të injoronte dritat paralajmëruese që vetëm pulsonin në kroskotin e makinës. Ajo u përplas dhe si pasojë e përplasjes, ajo u përball me rënien drastike të monedhës vendase dhe me përkeqësimin e portofolit të kredive.

Diku përgjatë rrugës, biznesi i z. Sari falimentoi, së bashku edhe me qindra biznese e kompani të tjera. Të shumta janë kompanitë, duke përfshirë këtu edhe emrat e disa prej më të njohurave në vend që po luftojnë për të përballuar pasojat e kësaj situate. Qeveria dhe bankat po kërkojnë mënyrën e duhur se si mund t’u vijnë në ndihmë. Edhe në një prej tabelave të fundit të publikuara nga Bloomberg mbi renditjen e vendeve në drejtim të perspektivave të tregjeve në zhvillim, Turqia u rendit e fundit.

Për Presidentin Rexhep Tajip Erdogan, kjo ishte një armiqësi financiare. Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002, pasi kriza e fundit e madhe e Turqisë përfshiu edhe rivalët e tij. Që nga ajo periudhë, ai ka fituar çdo zgjedhje kombëtare dhe lokale, kryesisht si pasojë e premtimeve për të rritur standardet e nivelit të jetesës. Por 2018 është edhe viti kur modeli i rritjes, i nxitur kryesisht nga paraja e lirë, ndryshoi krejtësisht.

Kompania e z. Sari, CERM Tekstil, u themelua gjatë vitit të parë kur z. Erdogan erdhi në pushtet. E ndërtuar në qytetin e Bursas, një prej qyteteve më të begata në veriperëndim dhe që prej kohësh është një prej qendrave kryesore të prodhimit të tekstilit në Turqi, ajo prodhon pëlhura të ndryshme si mbulesa divanesh, perdesh, etj., pjesa më e madhe e të cilave kanë dizajnin e vetë z. Sari. Vitet e para të kompanisë CERM Tekstil, ishin shumë të mira për ekonominë e Turqisë. Kërkesa po lulëzonte dhe hyri në qarkullim edhe kapitali i huaj.

Rezultati i parë i kësaj situate ishte forcimi i lirës. Kjo e ndihmoi z. Sari, të blinte makinerinë e tij dhe materiale të ndryshme si bojë dhe fije nga jashtë. Një faktor tjetër që po i vinte në ndihmë bizneseve ishte huamarrja e lirë. Një tjetër gjë po ndihmonte huamarrjen më të lirë të biznesit. Normat e interesit dhe inflacioni ranë, teksa ekonomia u stabilizua nën drejtimin e z. Erdogan, së bashku me kredinë që u rrit. Ndërkohë kompanitë turke po zgjeroheshin dhe madje, disa prej, tyre mburreshin duke e treguar këtë në mënyrë demonstrative.

Kompania e Murat Ulker, i cili u bë njeriu më i pasur në vend, u zgjerua globalisht dhe kulmoi në vitin 2014, kur ai bleu United Biscuits Plc kundrejt vlerës 3.1 miliardë dollarë, njëkohësisht edhe blerja më e madhe e bërë nga ndonjë kompani turke. Në një prej intervistave të dhëna, z. Ulker ka theksuar se atij i janë dashur vetëm nëntë ditë për të grumbulluar paratë nga bankat vendase dhe ato ndërkombëtare.

Ferit Sahenk, një tjetër miliarder, investoi një pjesë të madhe të kapitalit të tij nga bankat tek hotelet, duke blerë disa prej hoteleve më të mira në të gjithë Europën. Në fund të janarit të këtij viti, ai hapi në Nju Jork një prej restoranteve të drejtuara nga Salt Bae.

Huamarrja më e lartë e bizneseve turke ishte kryesisht në dollarë dhe në euro. Kreditë në valutë të huaj ishin më të lira, por për bizneset që fitimet e tyre i kishin në monedhën vendase, ato përbënin një rrezik. Edhe z. Sari mori një pjesë të kredisë së tij në valutë të huaj, por ai arriti që ta shmangte kurthin, duke e mbajtur shumicën e borxhit në monedhën vendase.

Edhe pse nuk po operonte në shkallën e z. Ulker apo z. Sahenk, ai gjithsesi ishte i lumtur. Deri në fillim të vitit 2016, CERM Tekstil kishte rreth 90 punonjës në dy fabrika, dhe shitjet vjetore arrinin në më shumë se 10 milionë dollarë. I pyetur sot, ai thotë se po të kthehet prapa në kohë dhe të analizojnë me kujdes situatën, ai shprehet se shenjat e problemeve kanë qenë të pranishme.

Gjysma e dytë e epokës së Erdoganit ka qenë një terren më i vështirë për t’u përshkuar dhe jo aq i lehtë sa fillimet e tij. Lufta civile shpërtheu në Sirinë fqinje dhe fuqitë e jashtme morën menjëherë qëndrimet e tyre dhe u përfshinë në këtë situatë. Turqia ishte në vijën e frontit. Në fund të vitit 2015, forcat turke qëlluan një avion luftarak rus, duke shkaktuar trazira gjeopolitike dhe duke rritur shqetësimet e tregut. Lidhjet me Rusinë u përmirësuan, por pjesërisht në kurriz të aleancës së gjatë të Turqisë me Shtetet e Bashkuara, të cilat filluan të grindeshin, duke shqetësuar dhe duke demoralizuar më tej investitorët.

Në verën e vitit 2016, z. Erdogan i mbijetoi përpjekjes për një grushti shteti dhe iu përgjigj asaj me spastrime gjithëpërfshirëse. Në vjeshtën e po atij viti, lira u përball me rënien e saj të vërtetë, në nivele shumë të ulëta.

Në fund të vitit 2016, z. Sari e kishte shkurtuar stafin e tij me një të tretën. Ishte pikërisht po ajo periudhë kur edhe bankierët e parë filluan që të vërenin mundësinë e një krize të ardhshme. Edhe pse ne ishim një kompani shumë e besueshme për bankat në atë kohë, kur ne shkonin për të marrë një kredi në banka, ata na thoshin gjëra të tilla si: “Ne duhet të pyesim fillimisht degën tonë kryesore”. Në momentin që kriza e lirës nisi të përhapej, të gjithë u drejtuan nga Banka Qendrore e Turqisë dhe nga Presidenti i vendit, z. Erdogan, i cili do të hiqte me forcë normat më të larta, të nevojshme për të mbrojtur monedhën. I vetëdijshëm për faktin se paraardhësit e tij u mposhtën nga kriza fiskale, Erdogani i mbajti financat e qeverisë së tij të shtrënguara. Borxhi publik, si pjesë e ekonomisë ka rënë ndjeshëm, por ai fatkeqësisht është zëvendësuar nga rritja e nivelit të borxhit të sektorit privat.

Lira vazhdoi rënien e saj. Inflacioni i kostove, i shkaktuar nga monedha e dobët, dobësoi shumë fitimet e z. Sari. Boja që ai blinte nga Italia, për shembull, tani kishte një kosto më të lartë në krahasim me të kaluarën, për shkak të dobësimit të monedhës vendase. Nëse për një litër bojë, në fillim të 2017-s ai paguante rreth 86 litra, në nëntor të këtij viti, ai pagoi rreth 109 litra.

Fitimet e tij vazhdonin të pakësoheshin, madje për disa muaj me radhë, ai ka dalë edhe me humbje. Situata përkeqësohej dhe pjesa më e madhe e biznesit të tij ishte kthyer në situatën, bli sot e paguaj nesër, e cila po ndeshej gjithnjë e më shpesh edhe në shumë biznese të tjera në Turqi.

Edhe klientët që blinin në dyqanin e tij e bënin pagesën jo në moment por disa ditë më vonë. Në momentin që z. Sari i merrte paratë e tij, ai dilte me shumë humbje kur bënte blerjet e bojës në euro apo në dollarë, për shkak të dobësimit të lirës. Por ato kishin më pak vlerë edhe brenda Turqisë, për shkak të inflacionit në rritje. Në fillim të këtij viti, z. Sari dhe shumë të tjerë ishin duke luftuar me krizën që kishte pushtuar bizneset e tyre. Ai u zhvendos nga dy fabrikat e tij të mëdha në një ndërtesë të vetme, duke e ulur në këtë mënyrë koston e qirasë me rreth 30%. Si shumë të tjerë po e kuptonin se kishin filluar të vepronin pak vonë. Në fund të shkurtit të këtij viti, z. Sari e kuptoi se ai e kishte humbur luftën.

Humbjet e mëdha të parave e detyruan që ta mbyllte kompaninë e tij CERM Tekstil, përpara se qeveria të prezantonte procedurat e reja për mbrojtjen ndaj falimentimit në muajin mars. Më shumë se 1,000 është numri i kompanive që kanë aplikuar. Z. Sari thotë se ai mund ta kishte shtyrë edhe për pak kohë mbylljen e biznesit të tij, por gjithsesi nuk do të mund ta kishte shpëtuar dot atë. E gjithë kjo situatë është e rëndë, sepse ndërtimi dhe ngritja në këmbë e një biznesi të tillë nuk ishte aspak e lehtë dhe tani nuk ka mbetur më asgjë prej tij, shprehet me hidhërim ai.

Disa kompani turke shumë më të mëdha se CERM Tekstil, janë duke luftuar për të mos pasur të njëjtin fat si ajo. Në prill, Dogus Holding e z. Sahenk filloi rinegocimin me kreditorët për një hua me vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh. Nga Capri në Madrid, hotelet e tij luksoze janë nxjerrë në shitje. Z. Ulker, miliarderi i biskotave, arriti një marrëveshje me bankat në maj të këtij viti për të rifinancuar 6.5 miliardë dollarë borxhe.

Por më e keqja nuk kishte ardhur ende për lirën turke. Në një intervistë dhënë për Bloomberg, në maj të këtij viti, një muaj përpara se të zhvillohesh zgjedhjet në Turqi, ai tha se do të ushtronte më shumë kontroll mbi Bankën Qendrore, në rast se do të fitonte, premtim të cilin e mbajti. Por monedha shënoi sërish një tjetër rënie në fillim të muajit gusht, si pasojë e mosmarrëveshjeve me SHBA-në, që kërcënoi vendosjen e sanksioneve të paprecedentë mbi aleatin e saj të NATO-s.

Presidenti u dorëzua më në fund dhe autorizoi rritjen më të madhe të normës së interesit gjatë sundimit 16-vjeçar. Ajo rezultoi e suksesshme në drejtim të ndalimit të devijimit të monedhës. Por dëmi është ende duke u filtruar përmes sistemit bankar. Qeveria turke ka krijuar edhe një Fond për Garantimin e Kredive për të marrë një pjesë të riskut të korporatave. Mund të jenë të nevojshme hapa edhe më radikalë, me disa investitorë që bëjnë thirrje për një program rikapitalizim të bankës që të financohet nga taksapaguesit dhe aksionerët.

Optimistët shprehen se ekonomia e Turqisë do të dalë nga kjo situatë me deficitin e jashtëm të shndërruar në suficit dhe të rrisë konkurrencën brenda vendit. Ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo do të jetë gjithsesi një kurë shumë e kushtueshme për vendin. Të shumtë janë ekonomistët që parashikojnë se ekonomia do të tkurret gjatë vitit të ardhshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar është më optimist, duke parashikuar rritje prej 0.4%. Por, edhe kjo në mënyrë efektive përbën një recesion në një vend si Turqia, popullsia e së cilës po rritet me shpejtësi.

Sa i përket situatës së biznesit turk, huamarrësit në dollarë u dogjën dhe tani edhe kreditë në monedhën vendase janë shumë të shtrenjta. Z. Sari, thotë se për të ka qenë e vështirë edhe kur ai ka marrë hua deri në 18%, ndërsa sot njerëzit marrin hua edhe me 40%. Por ky nuk është më problemi i tij. Ai tashmë po i fiton paratë e tij duke punuar si konsulent për kompani të tjera tekstile. Z. Sari thotë se i ka mbyllur një herë e përgjithmonë punët me sipërmarrjen.

Bloomberg-monitor

@tn.lajmelokale
@tetovanews