Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në hapje të konferencës së Dialogut Strategjik të Beogradit “Nisma rripi dhe rruga në Ballkan”, ndër të tjera “foli për rëndësinë e tregtisë së lirë, qarkullimit të lirë të mallrave dhe të kapitalit, duke shtuar se taksa qind për qind që ka vendosur Prishtina ndaj mallrave serbe tregojnë për pasojat katastrofike të bllokadave tregtare e të tjera”, raporton B92, transmeton Koha.net.
“Taksa 100 për qind i ka sjellë serbët në buzë të katastrofës humanitare”, është shprehur ajo, pa sqaruar pse t’iu ndodhte kjo vetëm serbëve të Kosovës, kur në Kosovë tregu është unik për të gjithë banorët e saj, pavarësisht nga etnia, dhe ajo (taksa) do të godiste edhe të tjerët. Ajo citohet të ketë thënë se pasojë sekondare e atyre masave është destabilizimi politik dhe i sigurisë.
“Serbia, e cila në rastin e saj po i ndien pasojat e barrierave, është e përcaktuar për bashkëpunim të hapët e të lirë me të gjithë”, është shprehur ajo.