Çifti bashkëshortor Novakoviq nga Beogradi, bashkë me dy fëmijët e tyre, kanë braktisur fenë ortodokse dhe janë konvertuar në fenë islame.
Pranimin e fesë islame familja katëranëtarëshe nga Beogradi e ka bërë të premtën në Xhaminë e Novi Pazarit para imamit dhe xhematit të shumtë.
Siç raporton portali “SanxhakPress”, çifti bashkëshortor serb, Bojan e Natasha dhe djemtë e tyre Filipi dhe Ognjeni e kanë thënë ‘shehadetin’ përpara imamit të xhamisë Asmir Crnovrshanin.
Pas pranimit të islamit çifti bashkëshortor ka marrë emrat mysliman Ismail dhe Edina, kurse djemtë janë pagëzuar me emrat Esad dhe Hamza.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Novi Pazarit, Asmir Crnovrsanin thotë se kjo familje i është kthyer fesë së vetme të vërtetë, islamit.
Ai gjithashtu ka thënë se ky nuk është rasti i parë i konvertimit nga feja ortodokse në atë islame dhe shpreson se do të ketë gjithnjë e më shumë të atillë që do ta pranojnë fenë e vërtetë.
Pas pranimit të fesë islame u bë edhe kurorëzimi i çiftit bashkëshortor sipas sheriatit.