Vala e protestave që ka ndezur këtë fillim dhjetori Parisin dhe Tiranën, “shkundi” mbrëmjen e djeshme edhe Beogradin pasi rreth 40 mijë qytetarë serb janë ngritur në protestë kundër Presidentit Aleksandër Vuciç. Protesta paqësore në qendër të Beogradit u zhvillua të shtunën si kundërpërgjigje ndaj një sulmi që ju bë një politikani të opozitës, por edhe për të kërkuar ndryshime të politikave nga Vuçiç dhe partia e tij. Protesta u zhvillua me sloganin “Ndaloni gjakderdhjen në këmisha”, duke iu referuar dhunës ndaj Borko Stefanoviç dhe demonstruesit kënduan teksa marshonin në qendër të qytetit.
Stefanoviç u sulmua nga një grup njerëzish të veshur me veshje të zeza më 23 nëntor në qytetin jugor të Krushevcit dhe pësoi lëndime të lehta nga rrahja me një shufër hekuri.
Vuçiç tha se sulmuesit e Stefanoviç u arrestuan pak pas incidentit, por figurat e opozitës pohojnë se partia e tij ishte e përfshirë në këtë incident – diçka e mohuar me forcë nga udhëheqësit progresivë.
“Lufta duhet të zhvillohet me zë të lartë duke kënduar kundër këtij regjimi të neveritshëm dhe të paqëndrueshëm”, tha Branislav Trifunoviç, një aktor dhe udhëheqës i protestës, para turmës që e priti me ovacione.
Aktivistët e opozitës thanë se Vuçiç është një autokrat dhe akuzoan Partinë e tij Progresiste Serbe si të korruptuar.
Vlerësimet për Vuçiç kanë rënë disi pasi ai fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet lider politik më popullor në vend dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të rehatshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.
“Korrupsioni, dhuna, mbytja e lirive të shtypit, ata (partia Progresive) bëjnë gjithçka dhe Vuçiç është çelësi i tyre”, tha Radovan Peric, 49 vjeç, një mekanik nga Beogradi.
Tubimi i së shtunës u thirr nga ish-kryebashkiaku i Beogradit Dragan Djilas, kreu i Aleancës për Serbinë – një grup heterogjen prej 30 partish, të cilët e përshkruan protestën si një tubim të qytetarëve kundër sundimit autoritar. Në protestë gjendeshin edhe liderët opozitarë të Serbisë, Nikolla Jovanoviç, Miroslav Aleksiç, Boshko Obradoviç, Zoran Lutovac, Radosllav Milojičić dhe Janko Veselinovic.
Protestat e opozitës kanë qenë relativisht të rralla në Serbi që nga trazirat popullore që rrëzuan ish-liderin Slobodan Millosheviç në vitin 2000 dhe si rrallëherë mbrëmjen e djeshme serbët kërkuan dorëheqjen e Vuçiç, pasi ata nuk janë aspak të kënaqur me mënyrën se si e drejton vendin.
Opozita e bashkuar serbe tha se ky është vetëm fillimi dhe ftoi qytetarët e pakënaqur që të bëhen pjesë e ecjeve jopartiake të organizuar kundër dhunës që po e bën qeveria aktuale.
Ndërkohë me shqetësim duket se e ka kaluar “kryengritjen” e djeshme të popullit serbe, Aleksandër Vuçic, i cili nga raportimet e mediave rezulton se ka nxjerrë nga kazermat e Beogradit, mjete ushtarake dhe mes tyre edhe tanke.