Është e vështirë, që të përshkruhet e gjithë biseda që e patëm ditë më parë me mërgimtarin, veprimtarin e dalluar të kauzës sonë kombëtare, Adem Zeqiri, nga fshati Tenovë i Tetovës. Erdhi si 25 vjeçarë në Zvicër, për një kohë të shkurtër si shumë të tjerë, por ja që shkuan hiq më pak se 40 vjet, por shumë krenarë me të gjitha që i ka kaluar. Winterthura, qytet i bukur, si të gjitha qytetet tjera të Zvicrës, pjesë e rrethit të kantonit Cyrih, ku nuk mundet të sheh syri keq asgjë, gjithçka e përpiktë, si Zvicra më, jetojnë dhe veprojnë shumë mërgimtarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Winterthur, 26 dhjetor
Ditë për ditë, protagonistin tonë, bashkëkombasin tonë, z.Zeqiri, e shohim në stacionin qendror hekurudhorë të Winterthurit, aty ku kalojnë trenat në çdo minut, ndalen dhe nisen për në Cyrih, Gjermani, Austri si dhe në të gjitha qytetet tjera, apo kantonet e mëdha të Zvicrës. Adem Zeqiri, me uniformën e njohur portokalli kësaj here të mirëmbajtësit të trenave, me një letër në dorë, shikonte orën dhe trenat, se cili është për ta mirëmbajtur shpejt me kohë të caktuar. Në kokë mbante një kapelë, sepse ishte edhe ftoftë, kuptohet jemi në fund të muajit dhjetor, me shumë krenari, shihet nga ecja e tij, bënte punën si të ishte në ditët e para të fillimit. Po ta shikosh nga larg, të dukej se është në moshë të re, por ai i ka kaluar, hiq më pak se 30 vjet në këtë detyrë. Ky qytet, apo ky vend i punës, ju ka bërë pjesë e jetës, ju ka bërë si ajri që e merr në çdo sekond, me këtë ka jetuar e po jeton ditë për ditë. Fjalë pak, por punëtor i madh, i respektuar nga kolegët e tij, si zviceran, shqiptarë dhe kombësi të tjera. Nuk ka ditur se çka është të mungosh në punë.
Winterthura qyteti im i dytë i jetës sime
Në këtë qytet ka kaluar 37 vjet dhe 3 të tjera në Turgau. Për herë të parë ka ardhur në Turgau dhe ka punuar punë fizike hiq më pak se dhjetë vjet. Në ftyrën e tij dhe duart, shihet, se është person që ka punuar shumë, jo i lodhur, megjithate, të jep shenja, se ka kaluar një jetë të tërë me punë, ose siç thotë populli: “I kishte duart e punëtorit”. Adem Zeqiri tash më 65 vjeçarë, në mars të vitit 2019, ku kanë mbetur edhe tre muaj, do të fitoj pensionin, edhe ate, për 30 vjet me një punë, pa u ndalur asnjëherë.
40 vjet punë, 30 në SBB në Winterthur dhe të tjerat punë fizike
I kujtohet sikur sot, kur ka filluar punën në stacionin e trenit në Winterthur. Ai ndër të tjera na thotë, se nuk ishte e lehtë, të mësohen gjërat e nevojshme, por kur ke interes mësohen shpejt. Jam krenarë, se e kam mbajtur këtë punë. Më duket, se para pak viteve e kam filluar, e në anën tjetër, kanë shkuar shumë vite. Kjo tregon, se kam kaluar shumë mirë. Për çdo ditë me shumë dëshirë kam ardhur në punë. Nuk i kam thënë vetes, ai, sot duhet të shkoj në punë, por me shumë kënaqësi, mezi se kam pritur të filloj punën. Me gjithë stafin kam kaluar shkëlqyeshëm, me shefat dhe gjithë ekipin, asnjëherë nuk kam pasur diçka të keqe, por na kanë nderuar shumë dhe ne kemi bërë punën, ashtu si na është thënë, me një fjalë si do të duhej të mbahej. Nuk di, se çka është të mungosh në punë. Ky shtet dhe ky popull gjithmonë do të ketë të mira dhe unë lutem, që zoti ta bekoje gjithmonë dhe ti jape të mira për jetë të jetëve, sepse Zvicra është shtet që nuk të hanë hakun, Zvicra është shtet me gjitha të mirat. Nuk ka si Zvicra. Zvicra është atdhe i dytë për mua dhe besoj se për çdo shqiptarë. Ne Zvicrën e shikojmë si vendin tonë dhe në punë sa herë që kam ardhur dhe që vij, nuk më duket, se jam duke shkuar të punoj në një firmë tjetër, por si në firmën time. Kur kam filluar punën në këtë detyrë, nuk ishim shumë shqiptarë, ndërsa tash jemi bërë disa, kanë ardhur të ri, unë ju dëshiroj shumë të mira dhe ta mbajnë punën, sepse kjo punë është e mirë. Për besë, nuk mundem ta harroj ditën e parë dhe ditët, muajt e vitet, që i kam kaluar në këtë detyrë, sepse kanë kaluar shumë shpejt. Kanë kaluar shpejt, sepse kemi pasur drejtues të mirë dhe me kolegë kemi kaluar si është më së miri. Gjithçka ka shkuar mirë. U jam mirënjohës firmës dhe gjithë stafit, që janë dhe që kanë shkuar në pension. Vërtet, nuk mundem me fjalë ta përshkruaj.
Adem Zeqiri është edhe gjysh
Pak kush e ka menduar, se do të jem në Zvicër kaq gjatë, si çdo mërgimtarë kur ka ardhur në gurbet. Ka ardhur për të arritur në qëllim për në vendin e tij, për të ndërtuar diçka dhe të kthehet, por ai që e shijon bukën e gurbetit, vështirë është të largohet nga ajo. Përpara ka qenë gurbet, e sot nuk e shoh si të tillë, sepse, po shihni, çdo ditë pok a aeroplan për në Shkup apo për në Prishtinë, e autobusa plot. Rruga është shumë e shkurtër, sepse janë rregulluar shumë, përpara ka qenë më e vështirë. Kjo është jeta. Jeta po ec shpejt.
Në mars të 2019 do ta shijoj pensionin
Kanë mbetur edhe më pak se tre muaj deri te pensioni. Nuk po më besohet se erdhi shpejt kjo kohë. Por, ja që duhet pajtuar. Jeta ju thash edhe më lart, se është shumë e shkurtër, duhet shijuar çdo kohë që kalon. Të punojmë me ndershmëri dhe të kalojmë si është më së miri. Të jemi shembull për të mirë. Të dëshmojmë, se jemi popull i vjetër dhe me traditë të lashtë. Neve na kanë nderuar zviceranët shumë. E dijnë, se ne jemi punëtorë. Zvicra është ky shtet, që ka mbajtur e po mbanë shumë shqiptarë. Sa herë që marrë ajër, e falënderoj Zvicrën, por besoj se të gjithë shqiptarët. Kemi punuar, por jemi shpëblyer me të mira. Në atdhe kemi ndërtuar, kemi ndihmuar sa kemi pasur mundësi atdheun dhe të afërmit tanë. Tani në Zvicër, sheh të rinjtë e të rejat nëpër punë të ndryshme, kjo na gëzon shumë. Po përparon rinia jonë nëpër detyra të mira në këtë shtet. Zvicra gjithmonë i ka pasur dyert e hapura dhe do ti ketë për të gjithë ata që duan të punojnë. Ne duhet të marrim shembull nga Zvicra dhe të përparojmë në vendet tona.
Porosia për gjeneratat e reja
Të rinjtë e të rejat, që po rriten dhe edukohen në Zvicër e kanë më të lehtë. Unë i kam edukuar fëmijët e mi, që të punojnë dhe të mos ndalen me ndershmëri, me djersë dhe vetëm me djersë. Sot, rinia e ka më të lehtë, sepse e mësojnë gjuhën si duhet dhe mundësitë i kanë më të mira. Të ruajnë gjuhën e të parëve, të ecin te para dhe vetëm te para, por të mos e harrojnë prej nga vijnë. Të punojnë, sepse pa punë siç dihet nuk arrihet asgjë. Ne më të vjetrit, jemi munduar, që të jemi shembull për të mirë në Zvicër. Ne duhet krenuar me të rinjtë tanë. Shoh çdo ditë nëpër vende të ndryshme, ata flasin mirë shqipen, punojnë nëpër vende të mira të punës në Zvicër. Ta duam Zvicrën shumë dhe të respektojmë ligjet. Të mos e harrojmë, se Zvicra na ka mundësuar të jetojmë si është më së miri. Të mos harrojmë, se në këtë Zvicër kanë punuar shumë mërgimtarë dhe me djersën e tyre kanë ndihmuar atdheun. Prandaj, Zvicra është atdheu jonë i dytë. Mësoni gjenerata e re dhe ju pafsha mirë e më mirë. Zot bekoje Zvicrën dhe gjithë banorët e saj, Zot bekoje kombin tonë dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë. I uroj të gjithëve vitin e ri 2019, duke ju dëshiruar gjitha të mirat. Uroj që në gjithë botën të ketë paqe.
Biseda e këndshme dhe me plot emocione
Bashkëbisedimi ynë me mërgimtarin, Adem Zeqiri, na kaloi shumë shpejt. Është ky veprimtarë, që sa herë i është kërkuar për të ndihmuar, ka ndihmuar. Nuk deshti të flas për ate që ka dhënë, sepse siç tha, kam dhënë për të mirë dhe nuk duhet përmendur. Ne e duam atdheun tonë si sytë e ballit dhe për te kam shumë mall, sepse nuk jam ngopur asnjëherë. Sa herë që jam zgjuar kam menduar për atje dhe sa herë që kam rënë për të fjetur jam marrur me ëndrra për vendin tim. Shpirti më digjet për tokën e të parëve. Zot bekoi të gjithë mërgimtarët kudo që janë, sepse janë shkri e shkrihen për atdheun e tyre. Kjo jetë, po kalon shpejt. Ta kalojmë si është më së miri. Krejt në fund të bashkëbisedimit tonë, atëherë, edhe kur u përshëndetëm, në sytë e z.Adem pash përsëri mall e ky mall e përcolli prej minutës së parë të bashkëbisedimit tonë. Kjo është jeta e mërgimtarit, gjithmonë i etur për atdhe. I dëshirojmë shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe gjitha të mirat. Ta gëzoj pensionin, ky bashkëkombas, që një jetë të tërë e kaloi në gurbet, por me shumë krenari dhe duke e falënderuar gjithmonë Zvicrën.