Nëntëmbëdhjetë milionë shteti do të duhet t’ua kthejë më shumë se 12.000 personave të siguruar, paratë për sigurim pensional të të cilëve, në 10 vitet e fundit nuk janë paguar në shtyllën e dytë pensionale, shtyllë që është e obligueshme dhe në të cilin personat e siguruar kanë llogari individuale te shoqëritë e sigurimit pensional. Paratë e personave të siguruar kishin mbetur në shtyllën e parë shtetërore, nga i cili financohet pagesa e pensioneve për pensionistët aktualë, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.
Siç njoftoi dje nga ministrja e punës dhe politikës sociale Milla Carovska, shteti përveç për të hollat që nuk janë transferuar në fondet private të pensioneve, do të duhet t’i zhdëmtojë personat e siguruar edhe për të ardhurat që ata do t’i kishin realizuar nga investimi i fondeve.
“Ajo që e zbuluam është se për rreth 12,000 persona të siguruar, kontributet e paguara kanë ngelur vetëm në shtyllën e pensionit shtetëror, gjegjësisht për ata nuk janë ndarë mjete në shtyllën e dytë private, edhe pse i kanë përmbushur kushtet ligjore për pagesë të tillë. Në këtë mënyrë, drejtpërsëdrejti është shkurtuar e drejta e këtyre njerëzve për të realizuar pensionin të plotë. Për shembull, për një person të siguruar me një pagë mesatare në periudhën prej 2007 dhe 2018 mbeten të pashpërndara gjithsej rreth 295 mijë denarë kontribut në shtyllën e dytë. Gjegjësisht, janë humbur rreth 95 mijë denarë fitim nga investimi në llogarisë individuale me çka ne do të zhdëmtojmë me rreth 400 mijë denarë për kokë të përdoruesit”, tha Carovska.
Në periudhën që e përmendi ministrja, drejtorë të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor (SIPM) ishin kuadro të BDI-së: Isni Jakupi Amet Dauti, Bekim Neziri dhe Shaip Zeneli, ndërsa ministra të punës dhe politikës sociale, nën juridiksionin e të cilëve është edhe SIPM ishin Xhelal Bajrami, Spiro Ristovski dhe Dime Spasov.
Carovska njoftoi se të gjitha dokumentet, që kanë qenë pjesë e analizës, sot do t’i dorëzohen Prokurorisë publike themelore për hetime të mëtejshme për të përcaktuar arsyen përse fonde të caktuara, në atë periudhe, nuk janë shpërndarë dhe ku kanë përfunduar ato.
“Prokuroria publike themelore për zhvillimet në SIPM është informuar nga mediat. Presim që Ministria e punës dhe politikës sociale të dorëzojë dokumentacion relevant, siç edhe ka paralajmëruar, që ne t’i verifikojmë ato në bazë të detyrës sonë zyrtare”, tha Sasho Rajçev, prokuror publik i Shkupit për SAKAMDAKAZHAM.MK.
Gjatë 10 viteve, në Fondin pensional është krijuar një deficit prej gati 500 milionë euro si pasojë e, siç thonë nga ministria, politikave të gabuara të qeverisë së mëparshme dhe ad hoc rritjet e pensioneve jashtë kornizës ligjore, i cili parashikon harmonizim të pensioneve me shpenzimet e jetës dy herë në vit. Deficiti prej 500 milionë euro mbulohet nga fondet e buxhetit.
Gjatë sundimit të ish-kryeministrit, tani azilant në Hungari, Nikolla Gruevski, pensionet janë rritur disa herë në mënyrë lineare, herën e fundit para zgjedhjeve parlamentare në dhjetor 2016, kur pensionet u rritën për 670 denarë, pasi paraprakisht ishte pezulluar harmonizimi i rregullt i pensioneve me shpenzimet e jetës.