Ballina Aktualitet Rajoni Flamuri shqiptar mbetet i ndaluar në Mal të Zi

Flamuri shqiptar mbetet i ndaluar në Mal të Zi

Kuvendi i Malit të Zi nuk e ka miratuar ndryshim e Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, i cili e ndalon përdorimin e Flamurit shqiptar.

Propozimin për ndryshimin e Ligjit e kishte dorëzuar deputeti shqiptar Genci Nimanbegu, por në votimin e djeshëm ky propozim nuk mori shumicën e votave në Kuvend.

Në fakt, ky Ligj parasheh gjobë për përdorimin e cilit do flamur përveç atij të Malit të Zi, por që deri me sot nuk është shënuar ndonjë rast tjetër, përveç kur ishte fjala në përdorimin e flamurit shqiptar.

Dy rastet e fundit para pak javësh janë shënuar në Ulqin dhe në Malësi, me çrast një qytetar në Ulqin është dënuar për shkak se në makinën e tij kishte dy flamuj të vegjël shqiptar, ndërsa në Malësi për shkak se kishte vendosur flamurin shqiptar në shtëpinë e tij private, bënte të ditur malesia.org.

Edhe pse në takimet e larta në mes të zyrtarëve shqiptar dhe malazez shpesh dëgjojmë se shqiptarët në Mal të Zi janë shembull për respektim e të drejtave dhe lirive, kjo edhe një herë e dëshmon të kundërtën.