Ballina Bota Nëse kaloni tre muaj në këtë fshat historik italian, do të paguheni

Nëse kaloni tre muaj në këtë fshat historik italian, do të paguheni

Të jetosh tre muaj në Itali, të mësosh gjuhën, të eksplorosh kulturën, të provosh ushqimet lokale por mbi të gjitha ti marrësh të gjitha këto falas, madje duke përfituar një pagesë mujore, duket se është një ëndërr e bërë realitet, së paku për disa aplikant me fat, pasi Airbnb ofron mundësi për të jetuar dhe punuar në fshatin historik Grottole në Italinë jugore.

Oferta e punësimit vjen me udhëtim të paguar, akomodim falas dhe një pagë mujore prej 900 eurosh. Gjithashtu si pjesë e paketës ofrohen falas kurse gatimi dhe gjuhe.

Sipas “The Telegraph”, skema drejtohet nga Airbnb në partneritet me Wonder Grottole, një organizatë jo-fitimprurëse që shpreson “të ringjallë” këtë fshat historik.

Ashtu si shumë vendbanime rurale në Itali, Greqi dhe Spanjë, Grottole ka vuajtur nga shpopullimi në vitet e fundit, pasi gjeneratat e reja po shpërngulen në masë në qendrat urbane. Mungesa e vendeve të punës dhe mundësive në zonat rurale, pjesërisht si rezultat i rënies ekonomike në vitin 2008, ka bërë që shpesh të rinjtë të detyrohen të lëvizin drejt qyteteve të mëdha.

Ky shpopullim prek fshatra historikë si Grottole e banorët e saj, të cilët kanë frikë se pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Italisë do të humbasin. Në Grottole, popullsia tani numëron vetëm 300 njerëz, duke lënë më shumë se 600 shtëpi në fshat bosh.

Ky depopullim i shfrenuar është një tragjedi, pasi Grottole dhe zona përreth njihen për trashëgiminë e saj unike dhe të pasur kulturore. Sipas The Telegraph, Grottole është i famshëm për qeramikën e saj, e cila ka qenë pjesë e ekonomisë lokale që nga koha e romakëve. Emri Grottole rrjedh nga fjala latine cryptolae, që do të thotë shpellë, dhe kodrat rreth Grottole janë mbushur me shpella të vogla që janë përdorur historikisht si punëtori qeramike.

Megjithatë, Grottole nuk njihet vetëm për qeramikë. Kjo zonë ishte pjesë e rrugës së lashtë romak Appian, ndaj ajo është e pasur me vende të lashta dhe mesjetare, duke përfshirë një numër kështjellash të shekullit të 10-të. Rajoni është i njohur veçanërisht për bollëkun e pemëve dhe të vreshtave të gështenjës, si dhe mjaltin./Opinion.al

Burimi: The Vintage News

Artikulli paraprakWhatsApp sjell ndryshime të reja, për të ndaluar thashethemet e keqkuptimet
Artikulli tjetërNjihuni me shqiptaren që u shpall fituese e “Miss New York, USA 2019” (FOTO)