Lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik thotë se Serbia nuk ka asnjë përfitim nëse rimerr Kosovën. Në një intervistë televizive, përfaqësuesi i serbëve në presidencën trepalëshe boshnjake shprehet se nëse territori i Kosovës i ribashkohet Serbisë, shqiptarët do të përbënin mbi 20% të popullsisë së vendit. Sipas tij, ata do të merrnin kontrollin e shtetit serb sikurse po ndodh në Maqedoni.
“Në një situatë ku shqiptarët riintegrohen në Serbi, sipas rregullave ndërkombëtare, ata do të marrin 30% të vendeve në parlament. Kështu ata do të kenë akses në tre funksionet kryesore pozicionin e Presidentit, kreut të qeverisë dhe parlamentit.”
Dodik e quan të gabuar politikën e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili sipas tij po shpenzon energji dhe kohë për të penguar më kot njohjen e pavarësisë së Kosovës që mbështetet nga Perëndimi. Kosovën e quan një çështje të humbur, pasi nuk mund t’i rikthehet më Serbisë as me ushtri as pas 100 vitesh. Si zgjidhje propozon sërish njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia në këmbim të bashkimit të katër komunave serbe të veriut të Kosovës dhe territoreve të populluara nga serbët në Bosnje me territorin e Serbisë./Tv Klan