Ballina Aktualitet Kosovë Presidenti Thaçi: Duhet të heqim taksën ndaj Serbisë (VIDEO)

Presidenti Thaçi: Duhet të heqim taksën ndaj Serbisë (VIDEO)

Në një konferencë për shtyp pas kthimit nga Uashingtoni, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përsëriti qëndrimin e tij për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës si mënyra e vetme për të rinisur dialogun me Beogradin. Ai theksoi se këtë mesazh kishte marrë edhe në SHBA.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit nga Uashingtoni ku mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij lidhur me taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Thaçi tha se kishte kërkuar vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës, por që përgjigja që ka marrë, ishte se hapi i parë duhet të jetë heqja e taksës.

“Unë kam kërkuar atje që të vazhdohet me dialog, pa e hequr taksën. Por përgjigja ishte jo. Ata kanë kërkuar se paku pezullimin e përkohshëm të saj”.

Kreu i shtetit bëri apel që politika në vend duhet ta pranojë këtë kërkesë në mënyrë që të mos dëmtohet raporti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Definitivisht, nga institucionet vendore do duhej të respektohej kjo, jo për të hequr taksën, po për t’i dhënë mundësi për një pezullim të përkohshëm, për një angazhim të gjithanshëm ndërkombëtar. Në mënyrë sic ka pasur Kosova rol në Rambuje e kudo, të jemi edhe tani të përgjegjshëm. Dhe ky vendim i takon Qeverisë, koalicionit qeverisë dhe partive politike, por ritheksoj se Serbia po dëmtohet në rrafshin ekonomik, por e theksoj se nuk ka çmim që mund të pagoj ndonjë devijim a dobësim të raportit të Kosovës me SHBA-të. Mbi çdo çmim është ky relacion për të ruajtur. Ftoj spektrin politik të mendoj me urtësi e mençuri”.

Thaçi ka theksuar se organizimi i një konference ndërkombëtare për dialogun me Serbinë është kthim prapa në kohë dhe implikim i faktorit rus.

Presidenti i Kosovës paralajmëroi se duhet shmangur në çdo rrethanë që të diskutohet asociacioni me elemente ekzekutivë, pasi do të krijohej mundësia e krijimit të Republikës serbe në Kosovë./abcnews.al

Artikulli paraprakMerkel përuron objektin e ri të shërbimit sekret gjerman
Artikulli tjetërÇ’duhet të mësojmë nga 40 vjet ndërhyrje të SHBA-së në Lindjen e Mesme?