Protesta e studentëve fillimisht e shpërfilluar nga qeveria i shkaktoi dëme të mëdha Kryeministrit Rama. Ajo filloi më 5 dhjetor 2018 me një kërkesë të thjeshtë për shfuqizimin e një VKM-je që parashikonte tarifa shtesë për studentët që kishin për të përsëritur provime. Studentët mund t’i duhej të paguanin deri në afro 600 lekë për kredit që shkon deri në 4800 lek apo dhe më shumë për një provim.
Gjatë 21 ditëve të dhjetorit studentët mbushën rrugët. Ata kërkuan ulje të tarifave të shkollimit, përmirësimin e kushteve në konvikte dhe përmirësim të cilësisë së arsimit. Më pas gjatë ditëve të janarit e deri dje ato bojkotuan mësimin dhe u ngujuan në godinat e fakulteteve të tyre.
Në ditën e parë dhe pjesërisht në të dytën protestat u bojkotuan nga mediat më të mëdha në vend. Si rrjedhojë, mediat sociale u mbushën me video, transmetime të drejtpërdrejta në Facebook, apo me fotografi. Pas këtyre reagimeve, mediat tradicionale, krah portaleve, nisën të paraqesin përditë protestat dhe ngjarjet e lidhura me to. Studentët filluan të përdornin satirën dhe memet për të çmontuar propagandën e qeverisë.
Më 6 dhjetor, Këshilli i Ministrave vendosi të anulojë Nenin 4 të VKM 288, ndërsa kërkesat e tjera u injoruan dhe protestat u bënë akoma më të mëdha.
Më 11 dhjetor, në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut, Edi Rama i kërcënoi studentët.
[…]Për mua, që ta dini ju, është gjëja më e lehtë të kërkoj në qeveri një manovër taktike që shuan protestën[…]
Në mbrëmjen e 11 dhjetorit, në programin Top Show të Alban Dudushit disa studentë dolën përpara kamerave dhe folën për protestën me Kryeministrin Edi Rama. Më vonë doli se këta “studentë” ishin anëtarë të forumeve të Partisë Socialiste, ose simpatizantë të saj, që ishin sjellë aty.
Në 12 dhjetor, 24 OJQ shqiptare dhe të huaja kërkuan rritjen e buxhetit të arsimit në 5 për qind të PBB, duke theksuar se shifra prej 3,3% e PBB që shpenzohet tani është shumë më e ulët se vendet e tjera evropiane.
Në të njëjtën ditë, policia nisi procedime penale ndaj 25 studentëve dhe protestuesve, duke përfshirë edhe artistë, mësuesë dhe avokatë. Ata u akuzuan për protesta të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente, për prishje të rendit dhe qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.
Më 13 dhjetor, protesta kaloi përpara Parlamentit dhe një grup protestuesish vendosën të qëndrojnë jashtë Kryeministrisë përgjatë gjithë natës.
Ndërkohë që organizata evropiane të studentëve, si Unioni i Studentëve Evropianë dhe Shoqata Erasmus Mundus, i kanë mbështetur protestat e studentëve, ashtu siç kanë bërë shumë OJQ, organizata dhe media të huaja.
Përgjatë gjithë protestave të tyre, studentët nuk kanë pranuar të hyjnë në bisedime me qeverinë. Për sa kohë që ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre të qarta dhe kanë sqaruar se nuk do të tërhiqen, për ta negociatat janë një shmangie e panevojshme e vëmendjes.
Studentët kanë qenë të vendosur në këtë pikë dhe këtë ia kanë transmetuar vazhdimisht medias dhe të interesuarve. Ata kanë thënë edhe se do të negocionin me kënaqësi për afatet e realizimit, apo për çështje të tjera, pasi qeveria t’i ketë pranuar kërkesat e tyre.
Më 26 dhjetor, qeveria Rama mori një sërë vendimesh, të cilat adresonin kërkesat e studentëve. Rezultatet e mbledhjes u përshkruan nga qeveria si zgjidhje përfundimtare e kërkesave të studentëve. Madje për këtë, nga zyra e kryeministrit u shpërnda një dokument sqarues, i titulluar Pakti për Universitetin, i cili shpjegonte sesi vendimet e qeverisë i kishin plotësuar kërkesat e studentëve.
Vendimet e marra nga qeveria nuk sqaronin se ku do të gjendej fondi i nevojshëm për plotësimin e kërkesave ekonomike të studentëve. Akordimi i një fondi të tillë nga buxheti i shtetit mund të bëhet vetëm duke ndryshuar ligjin e buxhetit për vitin 2019, tashmë të miratuar në Kuvend, ndryshim i cili mund të bëhet me një ligj (amendament) tjetër në Kuvend.
Studentët nuk u mashtruan nga propaganda dhe vazhduan protestat. Në janar, ato vendosën të ngujohen në godinat e fakulteteve të ndryshme deri në plotësim të kërkesave.
Madje as shkarkimi i ministrave dhe as turi i ministrave të rinj për të sqaruar paktin e universitetit nuk i bindi studentët.
Ndaj, përpjekja e fundit e qeverisë ishte të njoftonte anulimin e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar dhe kalimin e fondit nga buxheti i shtetit për këtë rrugë, në shërbim të universiteteve publike.
Por deri më tani qeveria nuk ka miratuar një vendim zyrtar për shpërndarjen e fondeve të rrugës Thumanë-Kashar drejt universiteteve publike, ndaj deklarata e ministres Balluku mbetet në nivelet e një deklarate propagandistike dhe e pavërtetë njësoj si deklarata e mëparshme të Kryeministrit.
Protesta e studentëve nxiti edhe reagimin e pedagogëve, të cilët kërkuan nga qeveria shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë. Asambletë e disa fakulteteve hartuan një kërkesë drejtuar qeverisë për të shfuqizuar ligjin.
Por, pavarësisht qëndresës, rifillimi i mësimit ishte i pashmangshëm. Ata u lodhën dhe u përçan. Disa prej tyre donin të fillonin mësimi. Nën frikën e penalizimit me mungesa dhe shtyrjes së sezonit të provimeve disa studentë filluan meësimin dhe disa të tjerë vazhdonin protestën. Të parët që rifilluan mësimin ishin studentët e Fakultetit të Drejtësisë. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë vendosi fillimin e mësimit në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” ndërkohë në fakultetet e tjera mësimi rifilloi normalisht në godinat e tyre./Exit.al/