Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka publikuar një video në të cilën ai mund të shihet në timonin e makinës së tij me bashkëshorten në krah, ndërsa shëtit nëpër rrugët e kryeqytetit të vendit, Karakas. “Ky është populli ynë, i mobilizuar për të mbrojtur Revolucionin,” vëren Maduro, i cili e përshkruan qytetin si “të qetë dhe normal”.
Maduro dërgon një përshëndetje, gjithashtu në anglisht, për ata në Nju Jork, që dolën në rrugë për të “përkrahur revolucionin” dhe i kërkuan presidentit amerikan, Donald Trump, të “heqë duart nga Venezuela”.
Ai në mesazh theksoi se doli nga pallati presidencial “Miraflores” dhe shëtiti në qendër të Karakasit për të parë se si jeton populli i tij.
“Njerëzit janë në rrugë për të mbrojtur revolucionin dhe jetën. Unë kam qenë gjithmonë me popullin”, tha Maduro, duke shtuar se paqja do të triumfojë.
Venezuela u përfshi në protesta që nga 10 janari, kur presidenti Maduro dha betimin për mandatin e dytë pas bojkotit të opozitës.
Tensionet u përshkallëzuan, kur kreu i opozitës, Juan Guaido, më 23 janar u vetëshpall president i përkohshëm, i mbështetur nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine. Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika mbështesin akoma Maduron.