Ndërsa autoritetet në Maqedoninë e Veriut kërkojnë arrestimin dhe ekstradimin e tij nga Hungaria, ish-kryeministri i arratisur i vendit, Nikola Gruevski, ka thënë se ai synon të botojë një libër të ri, bazuar në doktoraturën e tij.
“Përvoja për të Ardhmen” bazohet në doktoraturën e tij me titull “Efektet ekonomike të llojeve të ndryshme të flukseve ndërkombëtare të kapitalit duke përfshirë një vështrim të veçantë në Republikën e Maqedonisë”, të cilën ai e mbrojti në Fakultetin Shtetëror të Ekonomisë në Shkup në korrik 2018.
Në parathënien e tij për librin, të cilën ai e postoi në Facebook, Gruevski, i cili ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016, u ankua përsëri se ai ishte bërë viktimë e persekutimit politik përpara se të largohej në Hungari dhe të fitonte azilin atje.
“Fushata e persekutimit politik kundër meje arriti kulmin në vjeshtën e vitit 2018 dhe autorët e saj e kishin me aq ngut të më burgosnin, saqë përdorën dëshmi të rreme, akuza të nxitura politikisht dhe një gjykatë në varësi të tyre, e cila nuk pranoi të më jepte dy muaj kohë për të përfunduar librin para se të më dërgonte të kryeja një dënim të pamerituar,” shkroi Gruevski.
Gruevski tha se libri do të botohet nga shtëpia botuese Gjurgja, e cila kohët e fundit botoi një libër nga presidenti rus Vladimir Putnin, “Putin: Fjalë që ndryshojnë botën”.
Gjykatat vjeshtën e kaluar e gjetën Gruevskin fajtor për blerjen e paligjshme të një limuzine luksoze dhe e dënuan atë me dy vjet burg, dënim i cili duhet të fillonte më 9 nëntor.
Ai nuk u paraqit për të shlyer dënimin, por në vend të kësaj u largua për në Shqipëri prej nga, me ndihmën e diplomatëve hungarezë, ai arriti në Budapest dhe kërkoi azil politik, të cilin e mori menjëherë.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë kërkuar ekstradimin e Gruevskit, ende po hetojnë rrethanat e sakta të arratisjes së tij.
Qeveria hungareze, e udhëhequr nga aleati politik i afërt i Gruevskit, Viktor Orban, thotë se ia dha azilin politik atij bazuar nën dyshimin se ai po persekutohej politikisht në Maqedoninë e Veriut.