Ballina Aktualitet Rezultati i zgjedhjeve presidenciale imponon ndryshime në Qeveri

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale imponon ndryshime në Qeveri

Pavarësisht fitores të kandidatit të saj, Stevo Pendarovski në zgjedhjet presidenciale, Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin qeveritar, por edhe në organet e partisë.

Vetë kryeministri Zaev, ka bërë me dije se nuk është i kënaqur nga rezultati në zgjedhjet presidenciale, pasi partia që ai drejton, tek elektorati maqedonas ka shënuar humbje, ndërsa votat e shqiptarëve ishin vendimtare në fitoren e Stevo Pendarovskit, për president të Maqedonisë së Veriut.

“Nga këto zgjedhje, të gjithë duhet të nxjerrim mësim. Ne kemi marr mesazhin se disa persona nga radhët tona duhet të ulen në tokë dhe të gjithë të punojmë maksimalisht për realizimin e premtimeve tona për jetë më të mirë…Reforma apo fshesë do të ketë, përfshirë ministrat, drejtorët, por edhe në vet drejtimin e partisë. Disa zyrtarë e bashkëpartiakë u dëshmua se nuk janë në kondicion për të vazhduar punën”, kishte deklaruar kryeministri Zaev pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në disa raste tjera.

Ai ka thënë se reformat në Qeveri do të përfshijnë edhe partitë tjera, duke mos përjashtuar edhe ministrat dhe funksionarët e Bashkimit Demokratik për Integrim, por nga kjo parti kanë thënë se për kuadrot e tyre, qoftë në Qeveri apo pozita tjera, mund të vendosë vetëm se kryetari i saj, Ali Ahmeti.

Njohësit e çështjeve politike ndërkohë kanë qëndrime të ndryshme nëse duhet të ketë apo se çfarë duhet të përfshijnë ndryshimet në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Mendoj se ky hap nuk është i mirë, pasi vlerësoj se Qeveria deri më tani duhej të kishte një analizë të qartë dhe dëshmi se në cilët sektorë ka ngecje, ku nuk janë realizuar parashikimet, e kështu me radhë. Shkarkime apo ndërrime të kuadrove nuk mund të bëhen pa një analizë të detajuar të punës së tyre. Kjo do të dëmtonte edhe procesin e reformave”, thotë Marko Trashanovski nga Institucion për Demokraci dhe aktivist i shoqërisë civile.

Ai thotë se sektori civil ka detektuar disa mangësi të institucioneve.

“Dështimet më të mëdha janë në pjesën e investimeve kapitale dhe për këtë përgjegjëse është Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, pra, ajo ka dështuar në parashikimet e Qeverisë. Ministritë e Ekonomisë dhe Financave nuk arritën të ristartojnë ekonominë në mënyrën më të mirë… Gjithashtu dështime ka edhe në Ministrinë e Ekologjisë duke marr parasysh problemin me ndotjen dhe mosmenaxhimin e duhur të gjendjes së rëndë”, ka deklaruar Troshanovski, por duke dhënë vlerësime pozitive edhe për dy ministri tjera, atë të Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërkohë, Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, nuk beson se kryeministri do të bëjë reforma të thella në punën e Qeverisë, për shkak të, siç thotë, mungesës së numrave. Ai thotë se rikonfigurimi dhe reformat në Qeveri nuk mund të paramendohen pa ndërrimin edhe të funksionarëve të BDI-së, që sipas tij, kanë qenë pjesë e Qeverisë së kaluar me VMRO-së, kur edhe vendi, sipas tij, ka shënuar ngecje të mëdha në të gjitha sferat.

“Paralajmërimi për fshehën mua më tepër më duket si retorikë për shkak se Zaevi nuk i ka numrat. Pengesën kryesore për reformat unë e shoh brenda BDI-së që është një strukturë mjaft e korruptuar dhe tek ato partitë e vogla, të cilat i ka marr pas vetes e që kanë qenë mjaft vasalë ndaj qeverisjes së (ish-kryeministrit Nikolla) Gruevskit. Reformat do të duhej të fillonin që këtu, me njerëzit që kanë aktakuza, njerëzit që janë në procese hetimore. Këta nuk duhet të jenë pjesë e Qeverisë, por ata i keni në radhët e saj”, shprehet Sinani.

Nëse realizohet paralajmërimi i kryeministrit Zaev, ky do të jetë rikonfigurimi i parë më serioz i Qeverisë, që tashmë është në gjysmë të mandatit të saj.

VMRO-DPMNE-ja opozitare rezultatin e zgjedhjeve presidenciale e ka vlerësuar si shumë të mirë, pasi si parti e vetme në zgjedhje marrë më shumë vota apo rreth 380 mijë, ndërsa LSDM-ja në koalicion me 31 parti ka marr rreth 43o mijë vota. Kjo ka bërë që VMRO-ja të intensifikojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

@tn.lajmelokale
@tetovanews