Akademia e Shkencave e Shqipërisë njoftoi se sot, më 29 tetor 2026, është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një nga figurat më të rëndësishme të shkencave juridike shqiptare dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Gjatë veprimtarisë së tij shumëdekadëshe, Omari shërbeu edhe si sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i Akademisë.
Në njoftimin e saj, Akademia e Shkencave thekson se me largimin e akademik Luan Omarit, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri.
Jeta dhe vepra e tij mbeten të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar, si dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.
Një jetë kushtuar së drejtës dhe arsimit
Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore.
Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike.
Karriera e tij akademike është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike shqiptare.
Ai ka qenë docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, si dhe profesor i Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës dhe i së Drejtës Publike në Universitetin e Tiranës.
Përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias
Profesor Luan Omari përfaqësoi Shqipërinë edhe në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në debatet evropiane për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtën kushtetuese.
Ai konsiderohej një nga figurat e spikatura të mendimit akademik dhe juridik shqiptar.
Omari është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike dhe kushtetuese, si dhe sistemin juridik shqiptar.
Ai mori pjesë gjithashtu në proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve ’90.
Gjatë karrierës së tij formoi breza të tërë juristësh dhe akademikësh, shumë prej të cilëve më pas morën përgjegjësi të rëndësishme në jetën juridike dhe akademike të vendit.
I dekoruar me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Për kontributin e tij shumëvjeçar, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi Luan Omarin me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe rolin si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.
Në vitin 2016, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi gjithashtu me Çmimin e Karrierës Akademike.
Akademia e Shkencave u ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore.
Homazhet më 30 tetor
Nderimet për akademik Luan Omarin do të zhvillohen më 30 tetor 2026 në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në orën 10:00 do të mbahet Akademia Solemne në sallën “Aleks Buda”.
Nga ora 11:00 deri në 13:00 do të zhvillohen homazhet.
Në orën 13:00, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, do të mbajë fjalën e lamtumirës për akademik Luan Omarin.















