Ballina Bota Njoftoi mbajtjen e Samitit të G-7 në resortin e tij, Trump tërheq...

Njoftoi mbajtjen e Samitit të G-7 në resortin e tij, Trump tërheq vendimin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga vendimi i tij për të zhvilluar Samitin e G7 të vitit 2020 në një nga resortet e tij në Florida.

Pas kritikave të shumta se ai po përdorte zyrën e presidentit për të rritur popullaritetin e resorteve të tij të golfit, Trump deklaroi se do të kërkojë për një vend tjetër.

Në një postim në Twitter, Trump tha se do ta tërheq këtë ide për shkak të “armiqësisë së çmendur dhe joracionale” të demokratëve dhe mediave.

Trump shkruan se ideja e tij që Samiti i G7 të zhvillohej në Trump National Doral do të ishte në të mirë të vendit pasi ofronte kushte shumë të përshtatshme dhe kjo do të bëhej pa përfitime.

Shefi në detyrë i Stafit, Mick Mulvaney, kur kishte bërë njoftimin për vendin, kishte theksuar se me këtë veprim do të kurseheshin miliona dollarë, por kritikët vlerësojnë se kjo do të rriste popullaritetin e resortit.

Disa organizata monitoruese e kanë akuzuar presidentin Trump për “përdorim të fuqisë së zyres së tij për të ndihmuar në rritjen e biznesit të tij të golfit”.

Shtëpia e Përfaqësuesve ka dashur ta hedhë në votim një rezolutë javën e ardhshme që e dënon këtë vendim. Demokratët kishin planifikuar të kërkojnë nga Shtëpia e Bardhë informacione për të dhënë sqarime se pse administrata e presidentit ka vendosur që samiti të mbahet në këtë resort.

Udhëheqësja e Shtëpisë së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte një nga ata që vlerësuan se ky vendim përbën shkelje kushtetuese. /Opinion.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews