Ballina Bota ANALIZA: As koha, as historia nuk është në mbështetje të Trump për...

ANALIZA: As koha, as historia nuk është në mbështetje të Trump për zgjedhjet presidenciale!

Gjithçka dukej kaq e thjeshtë për Donald Trump ndërsa ai ngjitej në skenën e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në janar të këtij viti. Në fillimin e një viti zgjedhor, mbledhja e elitës globale të biznesit ishte një mundësi për të filluar fushatën e tij.

“Sot jam krenar të deklaroj se Shtetet e Bashkuara janë në mes të një bumi ekonomik”, tha Trump në një sallë të mbushur plot. “Amerika po lulëzon dhe po fiton përsëri si kurrë më parë.”

Trump e njihte historinë. Shumica e presidentëve në detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk u ndihmuan nga një ekonomi e dobët. Pra, me tregun e aksioneve në rekorde të larta dhe papunësinë në nivelin më të ulët, presidenti mendoi se rruga drejt fitores do të ishte e qetë.

Por ai nuk mendoi për asnjë moment që fushata e tij për rizgjedhje do të zhvillohej kundër një pandemie globale. Përpara debatit të së enjtes me Joe Biden, pandemia kishte shkaktuar më shumë se 200,000 vdekje në SHBA dhe nivelet e infeksioneve janë akoma në rritje. Papunësia u rrit në 15%, ngaqë pjesët e mëdha të ekonomisë u mbyllën në pranverë. Larg nga kryesimi i një bumi ekonomik, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia më e madhe në botë do të tkurret me më shumë se 4% këtë vit. Vendosur në kontekst, hera e fundit që ekonomia u tkurr me më shumë se 4% në një vit zgjedhor presidencial ishte në 1932, kohët e Depresionit të Madh, kur Herbert Hoover ishte në Shtëpinë e Bardhë. Hoover nuk mori një mandat të dytë…

Në pamundësi për të bërë fushatë me pretendimin se po kryeson ekonominë më të fortë që ka njohur ndonjëherë SHBA, javët e fundit Trump ka pretenduar se ai është kandidati më i mirë që mund të sigurojë rimëkëmbjen. Ndaj dhe presidenti është i etur që të marrë një projekt-ligj të ri stimulues përmes Kongresit para ditës së zgjedhjeve.

Për muaj me radhë, Trump është përpjekur të marrë këtë paketë të re që mund të ushqejë ekonominë, por edhe nëse një marrëveshje arrihet, votuesit nuk do të ndiejnë ndikimin e kësaj pakete përpara zgjedhjeve.

Me më pak se dy javë në dispozicion, koha dhe historia nuk janë në anën e presidentit. As pandemia nuk është. Këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë vetëm me atë që është më i miri në drejtimin e ekonomisë por edhe se kush do të jetë më i miri në trajtimin e Covid-19 dhe kush mund t’i mbajë amerikanët të sigurt.(scan,The Guardian)