Ballina Bota Trump apo Biden? Shtohen të çarat në traditën për të mos marrë...

Trump apo Biden? Shtohen të çarat në traditën për të mos marrë anë në zgjedhjet amerikane

Nga Ruben Avxhiu

Të paktën tre udhëheqës shtetesh nga Europa Lindore janë shprehur tani publikisht për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“E respektoj jetën e vështirë dhe tragjike të Joe Biden dhe disa prej arritjeve të tij politike, disa vite më parë”, ka shkruar në Tuitër sot në mëngjes Janez Jansha, kryeministër i Sllovenisë. “Por, sot, nëse do të zgjidhet, do të jetë një nga presidentët më të dobët në histori. Në një kohë kur bota e lirë ka nevojë për një SHBA TË FORTË si kurrë më parë. Shko drejt fitores Donald Trump!”

Kjo deklaratë e kryeministrit slloven që është përcjellë me kritika nga kundërshtarët e tij politikë nuk është e vetmja e këtij lloji në rajon.

Dy ditë më parë, Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda promovoi një këndvështrim që argumentonte se Joe Biden dhe media amerikane kanë vënë në shënjestër qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë sepse ato paraqesin një alternativë të suksesshme ndaj shkatërrimit të dyfishtë në Amerikë të industrisë dhe strukturës familjare.

Kjo është në të njëjtën vijë me qendrimet e kryeministrit Viktor Orban të Hungarisë, preferenca e të cilit për Presidentin Donald Trump ka qenë gjithnjë e njohur.

Të tre këto figura politike që kanë thyer tabunë e komentimit për zgjedhjet në SHBA janë akuzuar në vitet e fundit se po vendosin diktaturën duke zaptuar institucionet e demokracisë liberale. Të vetëpërshkruar si nacionalistë, ata kanë parë te sllogani i Presidentit Trump “Amerika, E Para”, në mos një model, një provë që vizioni i tyre është ai i duhuri.
Mes shqiptarëve ka pasur kohët e fundit një debat të fortë pas një thirrje nga Albin Kurti që shqiptaro-amerikanët të votojnë në favor të kandidatit Joe Biden.

Disa kritikat ndaj kësaj deklarate janë të sinqerta dhe legjitime. Të tjera nisen thjesht nga arsye politike e ideologjike. Por, ia vlen mbase të nënvizojmë se Kurti nuk është më një rast i rrallë dhe i vetmuar në kohën tonë.

Mendohet se shumica e udhëheqësve shtetërore të Europës preferojnë fitoren e kandidatin Biden, por jo të gjithë.

Kryeministri britanik Boris Johnson preferon Presidentin Trump. Ndërsa kryeministri italian Conte ka pasur veçanërisht marrëdhënie të mira me të, por është treguar i matur dhe nuk është shprehur. Nga Parisi, në Berlin, në Madrid etj pritet me padurim një fitore e kandidatit Biden dhe një rikthim në marrëdhënien tradicionale mes aleatëve.

Me Biden mendohet të jenë edhe udhëheqës në Japoni e Kanada, kurse Netanjahu në Izrael, Bolsinaro në Brazil, Modi në Indi etj janë qartazi afër Presidentit Trump. Një numër udhëheqësish arabë në Gjirin Persik shohin gjithashtu të Trump një partner me të cilin merren vesh.

Shumë debate ka lidhur me Kinën dhe Rusinë. Besohet se e para preferon humbjen e Presidentit Trump, kurse e dyta rizgjedhjen e tij.