Në më pak se një vit, Shtetet e Bashkuara kapërcyen 400 mijë viktima në total nga koronavirusi.
Ky vend vijon të kryesojë listën globale të infektimeve dhe viktimave nga Covid-19 dhe ka aktualisht 1/5-ën e vdekjeve të regjistruara në të gjithë botën.
Ekspertët e lidhin numrin e lartë të vdekjeve me refuzimin e presidentit në detyrë Donald Trump në aplikimin e masave të ashpra bllokuese, çka ka bërë që shumë spitalet ta kenë të pamundur përballimin e fluksit të pacientëve.
Megjithatë, ashtu si në gjithë globin, ditët e fundit shifrat ditore janë reduktuar ndjeshëm.
Gjermania ruajti nivelin e ulët të infektimeve ditore këtë të Martë, por numri i viktimave në afro 1 mijë tregon se presioni në spitale është shumë i lartë në disa rajone ku Covid-19 është përhapur shumë.
Shenja të mira jep vazhdimi i rënies së shifrave të pandemisë në Britaninë e Madhe, që deri më tani tregojnë se karantina kombëtare ka arritur ta verë nën kontroll përhapjen e variantit të ri të koronavirusit.
Për të dytën herë që prej tetorit, infektimet ditore në Itali ranë nën 10 mijë e akoma më pak në Francë ku u shënuan afro 4 mijë infektime të reja.