Nga Tony Barbe, Financial Times
Sa herë që Bashkimi Evropian has në vështirësi, politikë-bërësit dhe ekspertët e bllokut prej 27 vendesh i drejtohen Jean Monnet. Dhe kjo gjë po ndodh edhe tani në mesin e pandemisë së Covid-19.
Si të ishte një nga pllakat e Mali të Sinait, vëzhgimi i ekonomistit francez se “Evropa do të ndërtohet përmes krizave të ndryshme, dhe do të jetë shumatorja e zgjidhjeve të adoptuara për ato kriza”, është mbajtur si një lloj ushqimi emocional dhe një udhëzues për veprim nga ata që shpresojnë ta shfrytëzojnë emergjencën aktuale për të promovuar integrimin edhe të ngushtë të vendeve anëtare të BE-së.
Si një nga etërit themelues të Bashkimi Evropian, Monnet kishte shumë këshilla të mençura për t’ua dhënë trashëgimtarëve të tij politik. Por mund të supozohet se ai nuk do të ishte tërësisht i sigurt se veprimet e BE-së që nga fillimi i këtij viti,bazohen në vizionin e tij.
Përkundrazi, dështimi i unionit me fushatën e vaksinimit, shoqëruar me pasiguritë e mëdha mbi planet e rimëkëmbjes ekonomike pasi të ketë mbaruar pandemia, shtojnë rrezikun që BE të “rrëmbejë humbjen nga nofullat e fitores”.
Sigurisht, që nga shpërthimi i virusit një vit më parë,disa gjëra kanë shkuar mirë për Bashkimit Evropian. Ndryshe nga kriza bankare dhe borxhit sovran i pas vitit 2008, dhe ndryshe nga emergjenca e refugjatëve dhe emigrantëve e viteve 2015-16, pandemia nuk është shndërruar ende në një kërcënim ekzistencial për BE-në.
Pas disa hezitimesh, udhëheqësit u bashkuan pas një reagimi kolektiv ambicioz. Fondi i tyre i rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, çeli një terren të ri me një kornizë ligjore që lejon huazimin në tregjet financiare për të mundësuar transferimin e fondeve tek vendet anëtare të unionit.
Për më tepër, politikat e establishmentit kanë rezistuar relativisht mirë, ndërsa partitë ekstremiste dhe ato anti-sistem nuk kanë arritur të përfitojnë nga kriza. Dy shenja inkurajuese janë ringjallja e pro-evropianizmit në Itali nën qeverinë e re të Mario Draghi, dhe rezultati i zgjedhjeve parlamentare të javës së kaluar në Holandë, ku partia progresive D66, shënoi rezultatit më të mirë.
Ndërkohë, zgjedhja e Joe Biden si president i SHBA-së i dha zemër BE-së, pasi ai ështënjë mbrojtës i fortë i rendit liberal shumëpalësh, i cili mori një goditje të fortë nën presidencën e Donald Trump. Në aspekte të tjera, perspektiva e Bashkimit Evropian është shumë shqetësuese.
Fushata e ngadaltë e vaksinimit, nënkupton se më shumë njerëz janë të rrezikuar nga vdekja. Kjo gjë e minon çështjen e integrimit evropian gjithnjë në avancim, pasi krijon dyshime të forta nëse Brukseli është vërtetë i pajisur më së miri për të marrë nën kontroll fusha të tilla si shëndeti, që normalisht për momentin është kompetencë e qeverive kombëtare.
Duke gërmuar një gropë akoma më të thellë për veten e vet, Bashkimi Evropian flet për kufizimin e eksporteve të vaksinave, në një mënyrë që tregon një gjendje paniku dhe pafuqie, dhe jo besimi dhe force.
Ekziston një ironi e tmerrshme tek fakti se udhëheqësit e BE-së po kërkojnë “pjesën e tyre”të vaksinave, pavarësisht se e kanë dëmtuar aq shumë besimin e publikut ndaj vaksinës së Oxford/AstraZeneca, sa që miliona doza vazhdojnë të rrinë të papërdorura nëpër magazina.
Shtyrja e vaksinimit, shtimi i rasteve të reja me Covid-19dhe bllokimet e vazhdueshme, rrezikojnë që ta ngadalësojnë rimëkëmbjen e Evropës dhe të dëmtojnë vende si Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja që mbështeten shumë mbi turizmin veror. Këto janë edhe shtetet me nivelin më të lartë të borxheve në gjirin e BE-së.
Tashmë ekziston rreziku që hendeku i zhvillimit midis Evropës Veriore dhe Jugore të zgjerohet më tej, duke sfiduar jo pak ndjenjën e qëllimit të përbashkët midis qeverive të BE-së. Në vetvete fondi i rimëkëmbjes është shumë i vogël, për të nxitur ringjalljen ekonomike të Evropës.
Për këtë të fundit, nevojitet ndihmë nga Banka Qendrore Evropiane, që fatmirësisht ka mundësi të ruajë programet e saj të blerjes së aseteve në raste emergjence. Por nevoja më e ngutshme është që qeveritë kombëtare të ofrojnë mbështetje fiskale në shkallë të gjerë dhe të qëndrueshme, siç po bën aktualisht administrata Biden në SHBA, me planin e vet të stimulimit prej 1.9 trilionë dollarësh.
Është jo pak shqetësues fakti që ashtu si në krizën e eurozonës, qeveritë e BE-së nuk po arrijnë që të reagojnë me të njëjtën fuqi si SHBA-ja. Presidentja e BQE, Christine Lagarde, ishte shumë e drejtpërdrejtë kur tha se fondi i rimëkëmbjes duhet të “mbështesë reformat strukturore dhe projektet e investimeve që shtojnë rritjen ekonomike”.
Por në situatën aktuale, shumë qeveri po tallen me lakmitë e BE-së për reformim. E megjithatë, fajtorët nuk janë të kufizuar vetëm në vendet e Evropës Jugore apo Lindore, të cilat janë vënë aq shpesh në shënjestër të kritikëve nga shtetet veriore.
Gjermania, motori i ekonomisë së BE-së,dhe që ka përjetuar reforma të mëdha strukturore që kur një koalicion i socialdemokratëve dhe të gjelbërve pati pushtetin në vitet 1998-2005, ka gjithashtu nevojë që të ndryshojë qasje. Prioriteti i BE-së duhet të jetë vendosja në rrugën e duhur e programit të saj të vaksinimit.
Por në planin afatgjatë rezultatet zhgënjyese nga fondi i rimëkëmbjes, do t’u jepnin municion kritikëve të transfertave financiare të BE-së. Perspektivat mbi bashkimin fiskal të eurozonës, një element që mungon në arkitekturën ekonomike të BE-së që nga futja e monedhës së përbashkët në vitin 1999, do të zbehen.
Një dështim si ky me vaksinat, mund të mos i japë një goditje fatale integrimit evropian, një proces që është tani në dekadën e tij të tetë. Por mbledhja e pjesëve të shpërndara andej-këtej do të ishte një detyrë e gjatë dhe e mundimshme. /Përktheu: Alket Goce-abc