Nga Isabelle Barth
Xho Bajden i ka kaluar tani disa muaj në detyrë, dhe po befason shumë ekspertë me energjinë dhe aftësinë e tij për të marrë vendime novatore për vendin e tij. Dhe e pranishme në shumë prej këtyre diskutimeve është çështja e moshës së tij së madhe.
Ai është 78 vjeç, dhe është njeriu më i moshuar që është betuar ndonjëherë si president i Shteteve të Bashkuara. Por edhe kundërshtari i tij, ish-presidenti Donald Trump – që u tall pa pushim me Bajden gjatë fushatës duke e quajtur“Sleepy Joe” (Gjumashi Xho) – nuk ishte dhe aq shumë i ri.
E gjithë kjo ngre një pyetje interesante:A është lidershipi i pajtueshëm me plakjen? Për shembull, mendoni pak rastin e ish-presidentit francez Sharl De Gol, të cilin francezët e hoqën nga pushteti në vitin 1969 pasi ai nuk ishte më në një mendje me shoqërinë e cila ndryshoi papritur.
Në cilat kushte një udhëheqës mund të cilësohet në moshë të thyer?Ngritja e pyetjeve të tilla mund të duket diskriminuese, por përgjigjet mund të ndihmojnë në identifikimin e vetë thelbit të udhëheqjes. Martirja e Francës Zhan d’Ark ishte 19 vjeç kur vdiq, Martin LuterKing 39 vjeç, ish-presidenti i SHBA-së Xhon F.Kenedi 46 vjeç, Napoleon Bonaparti 51 vjeç, Stiv Xhobs 56 vjeç…
Të gjitha këto figura shumë të njohura vdiqën të rinj apo shumë të rinj, dhe së bashku ata kontribuojnë për frymëzimin e rinisë. Por kemi edhe figurën e plakut të mençur. Në artet pamore, piktori spanjoll Pablo Pikaso mbeti krijues deri në vdekjen e tij në moshën 91 vjeçare.
Po kështu në fushën e biznesit, Uorren Bafet, sot 90 vjeçar, është ende një mjeshtër i financës, pavarësisht moshës së tij të madhe. Antuan Pinai dha këshilla politike deri kur ishte gati 100 vjeç, dhe po kështu edhe Nelson Mandela, babai i nderuar i kombit të tij, deri në vdekjen e tij në moshën 95 vjeçare.
Por çfarë mund të thuhet për ata që rrinë ngjitur pas pushtetit, pavarësisht shkatërrimit fizik dhe mendor? Ata mbeten të plotfuqishëm, por a mund të cilësohen ende udhëheqës? Kapacitetet në rënie të ish-udhëheqësve francezë si Zhorzh Pompidu apo Fransua Miteran, janë theksuar shpesh nga media.
Dhe ekziston një rrezik tjetër për rënien mendore:Rastet kur udhëheqësit e moshuar manipulohen nga njerëzit pranë tyre dhe për pasojë diskreditohen më tej. Një shembull ekstrem dhe emblematik është ai i ish-presidentit algjerian Abdelaziz Buteflika, që qëndroi në pushtet për gati 20 vjet, me gjithë gjendjen e tij të dobët shëndetësore në fund të mandatit të tij.
Një rast tjetër është ai i Mahatir Muhamad, 95 vjeç, kreu më i vjetër i shtetit apo i një qeverie në botë kur dha dorëheqjen vitin e kaluar si kryeministër i Malajzisë, duke pranuar se më në fund po ndjente barrën e viteve të tij në detyrë.
Dikush mund të mendojë se çfarë mendon mbi këtë çështje Pol Bija, presidenti 88-vjeçar i Kamerunit,që kohët e fundit ka qenë në shënjestër të thashethemeve nga më të ndryshme për shkak të mungesës së tij të përsëritur në aktivitetet publike.
Në fund të fundit, pushteti nuk është i njëjtë me autoritetin. I pari duhet të fitohet dhe mirëmbahet. Ndërsa i dyti është diçka që njihet dhe pranohet nga të tjerët. Ngurrimi për të hequr dorë nga pushteti,është një dukuri që vërehet gjithashtu edhe midis drejtuesve tëkompanive, ish-ministrave të qeverive, profesorëve në universitete etj.
Këta janë njerëz që megjithëse e kanë kaluar moshën e pensionit, janë të bindur se bota nuk mund të funksionojë pa ta. Ata u japin nderime dhe poste vetëm besnikëve, duke i emëruar ata drejtues të shoqatave apo fondacioneve, apo anëtarë të bordeve drejtuese.
Dhe duke mbajtur vetë pushtetin, ata e paralizojnë funksionimin e organizatave në të cilat veprojnë, dhe mbysin çdo dëshirë për ndryshim ose hapje. Sërish këta njerëz mund të kenë një farë pushteti, por ndërkohë e kanë humbur autoritetin që i bën ata udhëheqës.
Kur titulli zëvendëson frymëzimin, kur statusi bëhet më i rëndësishëm se sa vizioni, atëherë pushteti është vetëm një zëvendësues i zbehtë i lidershipit. Kur një ish-udhëheqës nuk vlerësohet më, kur ai ose ajo nuk zgjidhet (siç ishte Xho Baden), nuk dëgjohej më ose respektohej, atëherë është e domosdoshme që personi të dijë se kur të largohet.
Dhe që ta bësh këtë kërkon përulësi, një ndjenjë humanizmi,dhe një njohje e dobësisë. Por edhe kjo është pjesë e udhëheqjes. Bërja e së kundërtës – kapja pas fronit apo postit – rrezikon të shkaktojë bezdi, zemërim, kritikë, dhe çon në fund të fundit në humbjen e respektit.
Jo, lidershipi nuk ka të bëjë përfundimisht me moshën.
Por bëhet fjalë për kapacitetin për të qëndruar i lidhur me botën, dhe për të qenë vizionar. Kuptimi i kësaj, do të parandalonte që disa njerëz të fuqishëm, pa marrë parasysh se sa të moshuar janë, të humbin dëshirën për të “qëndruar me çdo kusht” në krye.
Shënim: Isabelle Barth, profesoreshë e asociuar e shkencave të menaxhimit në Universitetin e Strasburgut. /
“Les Echos” – Bota.al