Ballina Bota Analiza Fasada e brishtë e Rusisë së Vladimir Putinit

Fasada e brishtë e Rusisë së Vladimir Putinit

Nga Philip Stephens, Financial Times

Çeliku me përmbajtje të lartë karboni është sa i fortë aq edhe i thyeshëm nëse tentohet të përkulet, duke ushtruar mbi të një forcë e madhe. Çeliku i butë me përmbajtje të ulët karboni, është i prirur të përkulet, por ka më pak të ngjarë të copëtohet.

Të dyja këto lloj metalesh, janë një metaforë e dobishme për vetitë e kundërta të qeverive demokratike dhe autoritare. Demokracitë e pasura në botë janë deformuar disi kohët e fundit. Një vëzhgim i shkurtër mbi nismat legjislative për përjashtimin e nga e drejta e votës të miliona njerëzve, e ndërmarrë nga Partia Republikane në SHBA, dëshmon se Amerika mbart ende deformimet e rënda që pësoi gjatë presidencës së Donald Trump.

Në Evropë, populistët kanë filluar sulme të panumërta mbi vlerat dhe normat pluraliste. E megjithatë, sado që mund të jenë deformuar nën peshën e këtyre sulmeve, institucionet e demokracisë janë treguar mjaftueshëm të zhdërvjellëta për të përballuar goditjet.

Sa për autokratët, Vladimir Putin mbetet në pallatin e tij në Kremlin; Recep Tayyip Erdogan i Turqisë banon ende pallatin e tij madhështor në Ankara; dhe në Pekin “perandori” Xi Jinping është bërë gjithnjë e më agresiv në përpjekjen e tij për të shkatërruar rendin ndërkombëtar të ndërtuar dikur nga Perëndimi.

Por është në natyrën e sundimit të tyre, që autokratët janë të plotfuqishëm derisa një ditë bëhen të pafuqishëm. Një diplomat britanik më tregoi dikur mbi punën e tij mbi çështjen sovjetike në Foreign Office.

Ishte fillimi i viteve 1980, dhe Bashkimi Sovjetik dukej se ishte në kulmin e fuqisë së tij ushtarake. Por parë nga Perëndimi, sistemi sovjetik i planifikimit ekonomik shtetëror ishte i paqëndrueshëm. Nga ana tjetër, ekzistonte një supozim se ai do të zgjaste përgjithmonë.

Të njëjtat pritshmëri të kundërta, karakterizojnë shpesh pikëpamjen e Perëndimit mbi Rusinë e Putinit. Këtë muaj, qeveria ruse publikoi Strategjinë e saj të përditësuar të Sigurisë Kombëtare.

Cilido që ka treguar një interes kalimtar mbi botëkuptimin e Kremlinit, e njeh tendencën e përgjithshme. Autokratët nacionalistë, kanë nevojë për armiq të huaj që të justifikojnë shtypjen politike në vend, dhe presidenti rus ka kohë që e ka gjetur këtë armik tek Perëndimi.

Pra sipas tij Rusia është e rrethuar nga një SHBA armiqësore dhe aleatët e saj të NATO-s. Forcat armike – disa prej tyre, përfshirë SHBA0në, janë të përcaktuara tani zyrtarisht si “shtete jo miqësore” – po i zhvendosin ushtritë e tyre më afër kufirit të Rusisë.

Uashingtoni po e përdor fuqinë e tij financiare ndërkombëtare kundër Moskës. Sanksionet ekonomike perëndimore, janë një pjesë integrale e këtij sulmi shumëvjeçar ndaj sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Rusisë. Kërcënimi, vazhdon dokumenti, shkon përtej përmasave ushtarake dhe ekonomike.

Sulmi është kundër kulturës dhe civilizimit rus. Perëndimorët po përhapin qëndrime shoqërore dhe morale që “kundërshtojnë traditat, bindjet dhe besimet e popujve të Federatës Ruse”. Vendi duhet të mbrohet kundër ideologjive dhe vlerave të huaja.

Dhe kjo nuk është analiza e një lideri rus, që kërkon tani një ndryshim thelbësor në marrëdhëniet me perëndimin. Takimi i fundit i Vladimir Putin me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Gjenevë të Zvicrës, mund ta ketë ri-formatuar marrëdhënien me Uashingtonin, por nuk e ka ri-vendosur atë.

Për të gjitha këto, Dmitri Trenin, drejtori i Qendrës “Carnegie Moscow”, zbulon një shtesë të rëndësishme në strategjinë e fundit – një njohje të kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme. Ato përfshijnë performancën e dobët ekonomike, varësinë e madhe nga nafta dhe gazi, një demografi të pafavorshme dhe teknologjitë e prapambetura.

Sipas Trenin:”Udhëheqja ruse, ka të gjitha arsyet që të nisë tani adresimin e dobësive të dukshme, çekuilibrave dhe pabarazitë e situatës së brendshme të vendit”. Shtojini kësaj korrupsionin e shfrenuar që fillon me Kremlinin dhe zbret deri poshtë, dhe ja ku keni edhe shpjegimin për frikën e Putinit nga Alexei Navalny, udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse.

Të huajt nuk mund të fajësohen për korrupsionin shtetëror, apo për rënien e standardeve të jetesës.

Dhe de-karbonizimi i burimeve energjisë, do të nisë të reduktojë shumë shpejt sasinë e parave që hyjnë në arkat e Kremlinit nga shitja e naftës dhe gazit. Tundimi është të mendojmë se mund të jemi sërish në vitet 1980 – se çarjet do të zgjerohen në të çara, të cilat do ta shembin një ditë sistemin aktual.

Sipas mendimit tim kjo gjë është e parakohshme. Shqetësimi i vetëm i Putinit është ruajtja e pushtetit të tij. Ai do ta vjedhë me kënaqësi të ardhmen e Rusisë për të ruajtur pozicionin e tij aktual. Kjo është ajo që ai po bën duke u afruar shumë me Kinën e Xi.

Dhe kur Rusia të paguajë koston e kësaj aleance, Putin do të ketë ikur prej kohësh nga kjo botë. Gjithsesi, është po aq gabim të besohet se trajektorja e shteteve autoritare të botës është fikse. Autokratët, me fasadat e tyre të hollësishme potemkiane, e kuptojnë mjaft mirë brishtësinë e sundimit të tyre.

Edhe për perandorin e Kinës, Xi Jingping, shtypja është po aq një mjet i shkaktimit të frikës, sa edhe një instrument i kontrollit të pushtetit. Pyetja kryesore është ajo e kohës. Ashtu si çeliku me përmbajtje të lartë karboni, edhe këto regjime do ta ruajnë formën e tyre deri në momentin që do të thyhen. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews