Ballina Aktualitet KSHZ i shpalli rezultatet përfundimtare, në raundin e dytë do të votohet...

KSHZ i shpalli rezultatet përfundimtare, në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna (VIDEO)

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 31 tetor do të votohet në 44 komuna. Në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të përsëritet votimi, sepse nuk është përmbushur censusi ligjor që në votime të dalin më së paku 1/3 e votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në afat prej 15 ditësh do ta njoftojë Qeverinë, që ajo më pas ta njoftojë Kuvendin i cili duhet të shpallë zgjedhje të reja në këto dy komuna.

Këtë e bëri të ditur sot kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski si pjesë e njoftimit të rezultateve përfundimtare nga votimi për zgjedhje të këshilltarëve komunalë e në Qytetin e Shkupit dhe të kryetarëve komunalë e kryetarit të Qytetit të Shkupit më 17 tetor.

Në rrethin e parë u zgjodhën 32 kryetarë komunash, kurse rezultatet nga komunat dhe Qytetin e Shkupit nga KShZ njoftuan se do t’i publikojnë gjatë ditës.

Duke u përgjigjur në pyetjet gazetareske, Dashtevski potencoi se pret të tejkalohen problemet me aparatet për identifikim me shenja gishtash, të cilat u regjistruan gjatë rrethit të parë.

“Trajnimet fillojnë nga e hëna dhe do të jenë më efikase se sa nga rrethi i parë”, tha Dashtevski.

Personat e pafuqishëm dhe të sëmurë të cilët duan të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve do të mund të paraqiten në komisionet komunale zgjedhore deri sot, në mesnatë, kurse të drejtën e votës do të mund ta shfrytëzojnë edhe personat e pafuqishëm dhe të sëmurë që janë paraqitur në rrethin e parë.

Afati për paraqitje për votim të kësaj kategorie të qytetarëve skadon më 25 tetor.

Të sëmurët, të pafuqishmit, personat e infektuar me Covid-19 në izolim, të burgosurit, të paraburgosurit dhe të strehuarit në shtëpitë e pleqve do të mund të votojnë më 30 tetor./TV21

@tn.lajmelokale
@tetovanews