Ballina Bota Tre faktorët që do të përcaktojnë të ardhmen politike të Rusisë

Tre faktorët që do të përcaktojnë të ardhmen politike të Rusisë

Nga Aleksandër Zamyatin, Open Democracy

Pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, opozita ruse nuk ndihet e mundur, dhe autoritetet nuk po nxitojnë që të festojnë triumfin e tyre, të paktën jo në Moskë. Në fakt, të 15 vendet në kryeqytetin rus u fituan nga kandidatët pro-qeveritarë të promovuar në një listë të përbashkët nga kryebashkiaku i Moskës Sergey Sobyanin.

Por tre faktorë, sistemi skandaloz i votimit elektronik i përdorur në Moskë; skema e “votimit të zgjuar”e dizenjuar për të mbështetur kandidatët e opozitës kundër kandidatëve të partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar; dhe Partia Komuniste, do të diktojnë perspektivat e opozitës në zgjedhjet e ardhshme, dhe ndoshta edhe vetë të ardhmen politike të vendit.

Rezultate të pakuptueshme

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në kryeqytetin Moskë, janë të pamundura të kuptohen pa përmendur votimin elektronik. Fitorja e kandidatëve të Rusisë së Bashkuar dhe e kandidatëve të tjerë të mbështetur nga Sobyanin, ndodhi kryesisht për shkak të sistemit të ri elektronik të votimit.

Në 8 zona elektorale, kandidatët e opozitës morën jo pak vota në qendrat tradicionale të votimit. Vetëm pasi përfundoi numërimi i fletëve të votimit në letër, mëngjesin e 20 shtatorit u shfaqën rezultatet e votimit elektronik. Ato u përmbysën menjëherë nga rezultatet në favor të kandidatëve të regjimit.

Kështu, në jugperëndim të Moskës, kandidati i opozitës Mikhail Lobanov arriti të jetë me gati 11.000 vota në avantazh ndaj Evgeny Popov, drejtues i televizionit shtetëror, (rezultati më i mirë i opozitës në Moskë). Megjithatë, në rezultatet përfundimtare të votimit elektronik, Popov fitoi me një avantazh prej 20.000 votash.

Besueshmëria e procesit të numërimit në votimin online, është gati e pamundur të verifikohet. Por ekipi i një kandidateje të pavarur në Moskë, Anastasia Bryukhanova, arriti të gjejë prova që sugjeronin se vota elektronike ishte manipuluar. Kjo gjendje paraqet një pikëpyetje të qartë për të gjithë qytetarët politikisht aktivë në Moskë:si mund të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se autoritetet mund të kontrollojnë rezultatet e tyre duke përdorur votimin elektronik?

Deri tani nuk ka pasur protesta të mëdha kundër votës elektronike, dhe nuk ka arsye të besohet se votimi online do të anulohet në të ardhmen. Madje,autoritetet ruse do të përpiqen ta zgjerojnë këtë përvojë edhe jashtë kryeqytetit. Por ky sistem ka kufijtë dhe dobësitë e tij, dhe siç e tregoi Bjellorusia vitin e kaluar, nuk e zgjidh problemin e rënies së madhe të mbështetjes për Rusinë e Bashkuar.

“Votimi i zgjuar” i Alexi Navalny

Sipas organizatorëve të “Votimit të Zgjuar”, kandidatët që ata mbështetën mund të kishin fituar në të gjitha apo gati në të gjitha zonat me një mandat në Moskë.Në qarqet e Leningradit dhe Kuntsevos, ku rivaliteti midis dy kandidatëve ishte më i madh, “Votimi i Zgjuar” pati një efekt të fortë.

Për shembull, në Kuntsevo, kandidati i partisë liberale Yabloko, Kirill Goncharov, nuk u zgjodh në rekomandimet e “Votimit të Zgjuar” dhe përfundoi i pesti në rezultatet përfundimtare, duke marrë 6.5 herë më pak vota se Mikhail Lobanov.

Pra ky sistem siguroi një fluks të madh mbështetësish për një kandidat të vetëm të opozitës në kutitë e votimit. Pavarësisht rezultateve zyrtare të zgjedhjeve – të garantuara përmes votimit elektronik, dhe përpjekjes së autoriteteve për të bllokuar informacionin në lidhje me “Votimin e Zgjuar”, strategjia e ekipit të liderit opozitar Navalny mbetet instrumenti kryesor i konsolidimit, dhe ai që merr rezultate të rëndësishme në një konkurrencë padyshim të pabarabartë me regjimin.

Faktori komunist

Partia Komuniste ishte ndoshta më e zemëruara me mashtrimet përmes votimit elektronik. Kjo pasi kandidatët komunistë udhëheqin garën në shumë qendra votimi në Moskë dhe jo vetëm. Një javë pas zgjedhjeve, mbështetësit e Partisë Komuniste organizuan 3 protesta. Ato protesta ishin relativisht të vogla (200-1.000 persona).

Por pjesëmarrësit në dy protestat e para, që të nesërmen arrestuan në shtëpi apo në metro. Përpara një tubimi në “Sheshin Pushkin” të Moskës një ditë para zgjedhjeve, policia bllokoi hyrjet për në Duma që të arrestonte disa deputetë komunistë. Në këtë mënyrë ne mund të shohim dy tendenca të kundërta brenda Partisë Komuniste.

Njëra vjen nga lidershipi konservator i partisë, i cili është i interesuar të ruajë statuskuonë dhe të vendosë kufij tek veprimet që u lejohen simpatizantëve të saj. Një rrymë tjetër është më e varur nga votuesit sesa nga nomenklatura e partisë, dhe ajo është gati për veprime vendimtare politike dhe aleanca me ekipin e Navalny.

Me gjithë rezultatet modeste të komunistëve (sondazhet sugjerojnë se ata duhet të kenë të paktën 100 vende, zyrtarisht morën 57 në zgjedhje), kjo partia mbetet një subjekt i rëndësishëm i politikës elektorale ruse. Kremlini mund të përpiqet t’i bindë komunistët se bashkëpunimi me Navalny nuk do t’u sjellë më rritje elektorale.

Por ajo që ndodh në këtë “trekëndësh”-“Votimi i zgjuar”, Partia Komuniste dhe votimi elektronik – do të përcaktojnë në vitet e ardhshme perspektivat për një politikë më të hapur dhe demokratike në Rusi. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews