Pandemia uli ndjeshëm udhëtimet e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit gjatë vitit që lam pas.
Sipas anketës së Institutit Kombëtar të Statistikave të Turizmit në Familje: “Pushime dhe Udhëtime 2020”, udhëtimet ranë ndjeshëm gjatë vitit që shkoi si pasojë e kufizimeve të vendosura për të ndalaur përhapjen e COVID-19.
“Në vitin 2020, janë regjistruar rreth 40 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2019”, shkruan INSTAT.
Kjo ankete u bazua në një kampion prej 10.240 njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe pati si objekt të gjithë individët mbi 15 vjeç me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri .
Fokusi i qytetarëve duket se është kthyer drejt udhëtimeve për arsye personale brenda vendit, ndërsa udhëtimet për arsye punë janë kufizuar.
Përhapja e pandemisë gjate vitit 2020, përveç ndikimit në shëndetin fizik dhe atë mendor të qytetarëve, kufizoi gjithashtu dhe lëvizjen e lirë të tyre.
Destinacionet ndërkombëtare përgjatë pjesës më të madhe të 2020-s ishin të pamundura për shtetasit Shqiptarë jo rezidentë në Bashkimin Europian.
“Udhëtimet për qëllime personale përbënë 98,7 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1,3 % të tyre”, tregojnë rezultatet e anketës.
Në vitin 2020, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3,212,076.
“Krahasuar me vitin 2019, ku udhëtimet personale jashtë vendit janë raportuar në shifrën 0.95 milion, në 2020 kjo shifër është ulur në 0.28 milion. Ndërsa udhëtimet personale brenda vendit janë ulur nga 4.14 milion në 2019, në 2.89 milion në vitin 2020”, tregojnë të dhënat e anketës.
“Gjatë këtyre udhëtimeve shumica e qytetarëve kanë zgjedhur si akomodim qëndrimin tek të afërmit e tyre”, vëren anketa, ku ndër të tjera rezulton se përqindja më e lartë e udhëtimeve është kryer nga grupmosha 25-34 vjec.
Përsa i përket destinacioneve, në Shqipëri qarku i Vlorës (51.9%) është regjistruar si destinacioni më i preferuar gjatë tremujorit të tretë te 2020-s, ndërsa ai i Tiranës (28.9%) dhe i Durrësit (39%) më të preferuarit gjatë tremujorit të parë dhe të dytë.
Udhëtimet jashtë vendit janë fokusuar në shtetet e Malit të Zi, Kosovës, Italisë dhe Maqedonisë.