Kapen rastet e para me gripin e stinës. AH1N1 është virusi që po qarkullon këtë periudhe krahas koronavirusit. Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik sqaron se gripi i tipit A deri tani është konfirmuar në dy persona.
“Në Shqipëri është izoluar virusi i gripit në dy persona deri tani. Ne kryejmë testime dhe për grip dhe për Covid, të cilat i kryejmë kryesisht në popullata te caktuara, sidomos dhe në spitale që mund të jenë Covid negativ, por kane grip. Gripi i identifikuar deri tani është AH1N1”.
Por krahas gripit dhe koronavirusit, ekspertët e Shëndetit Publik kanë gjetur në qarkullim edhe virusin respirator “Sinsicial”. Klinika e tij është e ngjashme Covidin, por vetëm tamponi ndan llojin e sëmundjes. Silva Bino thotë se ky virus është më i rrezikshëm te fëmijët dhe tek të moshuarit.
“Po kemi identifikuar dhe virusin respirator “Sinsicial” dhe viroza të tjera. Është më i rrezikshëm tek fëmijët dhe tek të moshuarit. Klinika e tij është e ngjashme me Covidin dhe gripin, mund të shkaktojë forma të rënda dhe bllokim të mushkërive”.
Bashkë qarkullimi i koronavirusit, i gripit të stines dhe virozave respiratore pritet ta rëndojnë situatën epidemiologjike në dimër. Bino u bën thirrje qytetareve të mos heqin maskat si dhe vaksinohen ndaj Covidit dhe gripit të stinës.
“Masa e kontrollit është mbajtja e maskës dhe eliminimi i i grumbullimeve të mëdha. Nëse nuk do t’i zbatojmë këto, është e kotë t’i vëmë fajin vaksinës. Nga ana tjetër popullata duhet t’i drejtohet vaksinës”.
Në qendrat shëndetësore vijon të merret vaksina e gripit, kryesisht nga të moshuarit të cilët po kryejnë dhe dozën përforcuese anti-Covid. Ndërsa të rinjtë vijojnë të jenë hezitues ndaj vaksinës anti-Covid edhe pse infektimet po përhapen masivisht edhe te këto grupmosha.