Ballina Bota Analiza Sa e korruptuar është Britania e Madhe?

Sa e korruptuar është Britania e Madhe?

Nga Esther Webber & Emilio Casalicchio “Politico.eu”

Boris Johnson:një gjeni që thyen rregullat, dembel, apo thjesht një politikan i korruptuar? Ky debat është zgjeruar kohët e fundit për shkak të një morie të vazhdueshme skandalesh, ku ka pasur shkelje të ligjeve, tendera dhe kontrata qeveritare që u janë dhënë miqve dhe aleatëve të zotit Johnson, të mbrojtur nga vetë kryeministri britanik ndaj akuzave mbi marrëdhëniet e tyre të dyshimta.

Zyrtarët e acaruar, kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për injorimin e këshillave të tyre, dhe dekonspiruesit e skandaleve e kanë detyruar qeverinë të bëjë një varg ndryshimesh të mëdha. Por nuk duket se asgjë nuk po e dëmton seriozisht sundimin e shkëputur të Johnson, që vazhdon të ketë një mbështetje të qëndrueshme në sondazhe .

Por pas një jave në të cilën kryeministri u përpoq që të bllokonte masat kundër një deputeti që theu rregullat e lobimit, njerëz brenda Westminster por edhe votuesit britanikë kanë nisur të pyesin nëse kjo qeveri ka shkelur çdo lloj kufiri me qasjen e saj të shkujdesur ndaj rregullave.

10 Downing Street, u detyrua të bënte një kthesë të turpshme, pasi partitë opozitare refuzuan të bashkëpunojnë më të në përpjekjet për ta shpëtuar ish-ministrin e kabinetit Owen Paterson nga një pezullim i propozuar 30-ditor, për një shkelje të kodit të parlamentit për lobimin me pagesë.

Vetë Paterson dha dorëheqjen si deputet, pasi u bë e qartë se sa keq e kishin vlerësuar ministrat qëndrimin e publikut dhe parlamentit mbi këtë çështje. Por pati një zemërim jo të vogël, për shkak të mënyrës sesi qeveria e kishte lejuar veten të zhytej në atë aferë korruptive.

Kur flitet për korrupsion, Britanisë i pëlqen ta mendojë veten si më e pastra nga të gjitha vendet, dhe jo si një shëmbëlltyrë në miniaturë e qeverisjeve tejet të korruptuara të Evropës Jugore, apo si shembujt e shteteve më të varfra ose më autokratike anembanë globit. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar po tenton që të rikthehet në skenën botërore pas Brexit-it, veprimet e qeverisë aktuale e kanë dëmtuar atë reputacion, duke tronditur analistët.

“Unë besoj sinqerisht se Britania e Madhe nuk është një vend i korruptuar, dhe mendoj se institucionet tona nuk janë të korruptuara. Ne kemi një sistem shumë të fortë të demokracisë parlamentare dhe të llogaridhënies”- u tha Johnson gazetarëve të mërkurën.

Por në një javë, kur Britania është dukur më problematike se në çdo kohë që nga skandali i shpenzimeve të deputetëve të vitit 2009, që përfshinte keqpërdorimin e gjerë të dietave, fakti që ai u ndie i detyruar ta thoshte këtë, shkaktoi jo pak habi.

Midis episodeve të shumta të dyshimta, qeveria i ka dhënë tendera miqve politikë. Ajo i akordoi kontratat në kuadër të masave anti-Covid njerëzve pranë saj; lejoi dorëheqjen e një këshilltari të etikës, në vend se të pranonte vendimin e tij kundër një ministri për ngacmim seksual, emëroi një donator të konservatorëve në Dhomën e Lordëve kundër këshillës së zyrtarëve; dhe përshpejtoi në mënyrë të paligjshme tenderin për një projekt, sërish në favor të një donatori të Partisë Konservatore.

Vetë Johnson ka qenë në qendër të disa çështjeve etike, përfshirë mënyrën se si u pagua për pushimet që bëri në ishullin e Karaibeve; në çfarë mënyre pagoi koston e rikontruksionit të banesës së tij në Downing Street; dhe nëse e ka keqpërdorur pozicionin e tij si kryebashkiak i Londrës për përfitimet e një biznesmeneje amerikane, me të cilën kishte një lidhje intime.

Hetimet mbi rinovimin e banesës së tij dhe pushimet, mbërritën në përfundime të ngjashme, sipas së cilave se ai nuk kishte thyer asnjë rregull, por duke vënë në dukje se duhej t’i kishte kushtuar më shumë vëmendje burimit se nga erdhën paratë. “Nëse bisedoni me ekspertë të çështjeve të korrupsionit, disa do të thoshin:Po, Johnson po vepron tashmë në mënyrë korruptive’, ndërsa disa të tjerë do të thoshin se ai nuk është plotësisht i korruptuar”- thotë Robert Barrington, profesor i praktikës kundër korrupsionit në Universitetin Sussex.

“Pikëpamja ime personale, është se ai është në kufijtë midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë”- shton ai. Në rast se situata vazhdon që të degradojë, Barrington përshkroi një të ardhme të zymtë për vendin. Ai argumenton se vendi më i mirë për të bërë një krahasim me të është SHBA-ja.

“Ju mund ta imagjinoni se si do të dukej sot SHBA-ja nëse Trump do të kishte fituar një mandat të dytë sa i përket ndarjes sociale; mungesës së besimit tek sistemi zgjedhor; tek njerëzit që përdorin dhunën pasi nuk besojnë se sistemi politik i përfaqëson apo u jep mundësi të shprehin zërin e tyre”- shprehet Barrington.

“Korrupsioni” mund të variojë nga niveli kriminal, deri tek një situatë “jo ideale”. Britania renditet mirë – e 11-ta – në “indeksin e perceptimit të korrupsionit” të Transparency International, pasi kategorizohet tek kjo e dyta. Por shumë shkelje mund ta ndryshojnë renditjen.

“Nën qeverinë aktuale, ka pasur një ndryshim të dukshëm të mënyrës se si zbatohen gjëra të tilla si kodi etik që quhet të kenë ministrat. Aty ku nuk zbatohen rregullat, dhe ku nuk ka asnjë pasojë, mungesa e llogaridhënies mund të prodhojë sjellje veçanërisht skandaloze, të cilat mund të rrëshqasin lehtësisht në praktika korruptive, që zakonisht mund të priten në demokracitë më pak të konsoliduara”- thotë Steve Goodrich i Transparency International. Ndërkaq profesor Mark Knights, ekspert i historisë së korrupsionit, mendon se ka ngjashmëri midis “korrupsionit të vjetër” të shekujve XVII-të, XVIII-të dhe fillimit të XIX-të, kur bliheshin dhe shiteshin punët qeveritare, dhe asaj që ai e quan “korrupsionin e ri” të qeverisë Johnson.

“Sot ka shenja se mund të rrëshqasim sërish në një epokë Walpolean-e ku dominon patronazhi, nepotizmi dhe militantizmi”- thotë Knights – duke iu referuar e ish-kryeministrit Robert Walpole, i konsideruar si një arkitekt i korrupsionit të dikurshëm.

Por 10 Downing Street hedh poshtë sugjerimet se administrata e Johnson është e korruptuar. “Që nga viti 2010, ne e kemi forcuar ndjeshëm transparencën mbi punën e qeverisë, nga publikimet e gjera të transparencës mbi kontratat, shpenzimet dhe takimet, tek një regjistër ligjor i lobistëve. Qeveria do të ecë më tej për të rritur transparencën mbi prokurimet, dhe për të siguruar standardet më të larta në jetën publike”- tha një zëdhënës i qeverisë.

Nga Johnson nuk pritej asnjëherë që të drejtonte një administratë tejet të pastër. Ata që e njohin, thonë se ai ose është shumë i çuditshëm, ose e beson veten mbi rregulloret e parëndësishme. “Ai ka pasur gjithmonë idenë se rregullat nuk vlejnë për të”-thotë biografia e tij Sonia Purnell, që ka punuar me Johnson kur ai ishte gazetar në Bruksel, duke shkruar histori të çuditshme për “The Telegraph”.

Ai nisi punë aty, pasi u shkarkua nga Times për fabrikimin e një citimi. Biznesmenia amerikane, Jennifer Arcuri, mendon se Johnson është bërë më pak skrupuloz në respektimin e standardeve publike që kur të dy ishin dikur bashkë. Ajo thotë për POLITICO se Johnson ka nxitur “mosbesim” tek publiku dhe “në një moment, bota do të zbulojë të vërtetën e asaj që ndodh kur dikush shet shpirtin e tij në kërkim të pushtetit”.

Të tjerët, përfshirë ata që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale me kryeministrin, janë më të rezervuar për të përdorur fjalën “i korruptuar. Një ish-ministër ka deklaruar në kushte anonimiteti se administrata e Johnson është fajtore për “një korrupsion të madh, por ende në nivele të ulëta”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

@tn.lajmelokale
@tetovanews