Krahas certifikatës së gjelbër të vaksinimit kërkohet edhe test
Kryeministri Draghi u tha senatorëve se qeveria e tij vendosi të rinovojë gjendjen e jashtëzakonshme deri më 31 Janar duke vënë si masë parandaluese kërkesën për test krahas certifikatës së vaksinimit për shtetasit edhe nga BE. Ata që nuk kanë bërë të dy dozat e vaksinës, përveç kryerjes së testit, do të detyrohen të qëndrojnë në karantinë për 5 ditë pasi të mbërrijnë në Itali.
Një përjashtim ka të bëjë me fëmijët nën 12 vjeç, prindërit e të cilëve janë të vaksinuar, të cilët nuk do të duhet të izolohen edhe nëse nuk kanë marrë asnjë injeksion. Nëse babai dhe nëna janë të pavaksinuar ata do të duhet të qëndrojnë në izolim me prindërit.
Ky vendim i ri ka bërë që të shpërthejë zemërimi i Brukselit. “Italia duhet që ta justifikojë këtë vendim”, tha Vera Jourova, zv.presidente e Komisionit Evropian. “Kur shtetet anëtare vendosin kushte shtesë ose i bëjnë rregullat më të rrepta, si në rastin e Italisë dhe ndoshta Portugalisë, kjo zgjedhje duhet të justifikohet në bazë të situatës reale”, tha Jourova.
Sipas Draghi, infeksionet janë në rritje në të gjithë Europën. Vetëm javën e fundit, brenda ka pasur mesatarisht 57 raste të infektuarish në ditë për çdo 100,000 banorë. Sipas tij në Itali incidenca është më e ulët, pothuajse gjysma, por është ende në rritje. Numri total i personave pozitivë aktualisht me virus në Itali është 297 mijë.
Dymbëdhjetë muaj më parë ishin 675,000, pavarësisht një niveli shumë më të lartë të kufizimeve. Të shtruarit në spital janë 8026. Më 14 DHjetor 2020, ishin 30,860. Në shtatë ditët e fundit, ka pasur mesatarisht 95 vdekje në ditë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 629. Kreu i qeverisë italiane tha se na duhet të jemi të kujdesshëm, se po i afrohemi Krishtlindjeve ndaj vaksinimi është thelbësor.
Në Itali, më shumë se 85% e popullsisë mbi 12 vjeç ka marrë dy doza dhe rreth 20% kanë bërë edhe të tretën. Draghi inkurajoi edhe një herë ata që nuk janë vaksinuar ta bëjnë këtë sa më shpejt dhe ata që kanë marrë dy dozat e para të bëjnë të tretën sa më shpejt të jetë e mundur.