Ballina Bota Estonia zbulon strategjinë e sulmit rus në Ukrainë

Estonia zbulon strategjinë e sulmit rus në Ukrainë

Shtegu diplomatik për zgjidhjen e krizës ukrainase po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Ministria e Mbrojtjes së Estonisë paralajmëron se zbulimi rus ka të dhëna të detajuara të objektivave që duhen goditur menjëherë në Ukrainë, pas nisjes së një sulmi nga Rusia, për t’a paralizuar plotësisht reagimin e ushtrisë ukrainase.

Përmes kësaj harte, ministria estoneze zbulon se pikat për të cilat, ushtria ruse ka të dhëna të detajuara për rëndësinë e tyre dhe që mund të goditen, shtrihen në gjithë territorin e Ukrainës.

Mes objektivave janë qendrat e komandës, bazat ajrore, ato të makinerive ushtarake, qendrat e riparimit të mjeteve ushtarake, rafineritë e naftës e madje edhe impjantet bërthamore. Zyrtarët estonezë thonë se informacione të ngjashme, Moska ka edhe për vende të tjera europiane anëtare të NATO-s.

Në përgjigjen me shkrim që i ktheu të Enjten, Uashingtonit mbi mënyrat e zgjidhjes së konfliktit ukrainas, Moska thotë se nuk ka ndërmend të sulmojë Ukrainën. Megjithatë, në një nga pikat më të rëndësishme, sipas mediave ruse, theksohet se nuk përjashtohet zgjidhja e konfliktit me mjete ushtarake, nëse shkelen vijat e kuqe, ku ndër të tjera është edhe mos-antarësimi i Ukrainës në NATO.

Presidenti amerikan Xho Bajden do të zhvillojë këtë të Premte një takim urgjent online me krerët e vendeve të mëdha të aleancës për të diskutuar për rrezikun në rritje të një ndërhyrjeje ushtarake ruse në Ukrainë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews