A po luan bllof Rusia apo taktika që po përdor është më e mirë se të synosh dhe të tërheqësh këmbëzën?
Pas vendosjes së trupave ushtarakë në kufijtë e Ukrainës dhe kërcënimeve nga ana e perëndimit për të vendosur sanksione ekonomike, një “koreografi” nga Kremlini ka tërhequr vëmendjen e kryeqyteteve perëndimore.
I ulur në fund të një tavoline, presidenti rus thirri vartësit e tij për të raportuar mbi situatën. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi se përgjigja e Perëndimit ndaj kërkesave të Rusisë ishte zhgënjyese, ndonjëherë edhe fyese. Lavrov vuri në dukje, se Amerika i ishte përgjigjur pozitivisht të paktën disa kërkesave, veçanërisht mbi kontrollin e armëve në Europë.
Bisedimet nuk mund të zvarriteshin, por ai rekomandoi intensifikimin e kontakteve diplomatike.
“Më duket se mundësitë tona nuk kanë shteruar”, deklaroi ai. Menjëherë pas kësaj, Sergei Shoigu, ministri i mbrojtjes, tha se disa nga stërvitjet ushtarake të Rusisë kishin përfunduar dhe disa të tjera ishin afër përfundimit.
Ndërkohë në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, pati një tjetër shenjë pozitive të bisedimeve diplomatike. Olaf Scholz, kancelari gjerman, tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte në planet e tyre. Duke qëndruar pranë tij, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se bashkimi me aleancën ushtarake ishte “një ëndërr”.
Me fjalë të tjera, asnjëri prej tyre nuk do të përkulej para kërkesës së Rusisë për një garanci formale që Ukraina të mos anëtarësohej kurrë në NATO. Por ata ishin më të qartë se në të kaluarën duke deklaruar se kjo nuk do të ndodhte për një kohë të gjatë, mbase edhe kurrë.
Kjo lëvizje e Putin mund të bëhet edhe më e qartë pas vizitës së Scholz në Moskë. Në një telefonatë, presidenti Joe Biden dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, thanë se kishte ende shpresë për një rrugë diplomatike.
Të marra së bashku, këto sinjale sugjerojnë se është ekziston mundësia që të shmanget një luftë e afërt, nëse Putin vendos ta bëjë këtë. Amerika, e cila ka paralajmëruar se një pushtim rus mund të jetë më afër se kuurë, i mirëpriti komentet e Lavrov.
Ato përputheshin me sinjalet që ai i kishte dërguar në mënyrë private Sekretarit të Shtetit të Amerikës, Antony Blinken. Për të qenë të besueshëm, tha Ned Price, zëdhënësi i Rusisë duhet të ketë një de- përshkallëzim të situatës por që ende nuk ka asnjë shenjë.
Në të vërtetë, Putin po vazhdon të shtojë numrin e forcave rreth Ukrainës, sipas zyrtarëve perëndimorë. Zyrtarët perëndimorë kanë theksuar se 14 grupe të tjera taktike të batalioneve ruse do tu bashkohen 100 grupeve që janë vendosur tashmë rreth Ukrainës.
Ato përfshijnë forcat speciale Spetsnaz dhe raketat Iskander. Rendi i betejës sugjeron një shtytje nga Bjellorusia për të kërcënuar Kievin dhe një përpjekje për të rrethuar trupat më të fortë të Ukrainës, të dislokuara aktualisht në lindje të vendit kundër milicive separatiste që kontrollojnë dy enklavat, rreth Donetsk dhe Luhansk.
NATO, nga ana tjetër ka dërguar forca modeste për të mbrojtur aleatët në Europën Qendrore dhe Lindore – mijëra trupa në kontrast me rreth 130,000 që Rusia ka vendosur tashmë.
Më 14 shkurt qindra ushtarë gjermanë mbërritën në vend për të përforcuar praninë e tyre në Lituani dhe tetë avionë të tjerë luftarakë amerikanë mbërritën në Poloni. Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të diskutojnë rreth krizës në Bruksel në 16 dhe 17 shkurt.
Rusia ka lëshuar gjithashtu paralajmërime kundër “provokimit” nga Ukraina, të cilat supozohet se janë inkurajuar nga kërcënimet perëndimore dhe vendosja e trupave ushtarake. Ndërkohë, aleatët e Putinit po nxisin miratimin e një projekt-ligji për njohjen e rajoneve të shkëputura, një hap përpara aneksimit të plotë.
Me pak fjalë, Putin duket se po shqyrton të gjitha opsionet. Ai mund ta pushtojë Ukrainën, shumë lehtësisht, sipas zyrtarëve perëndimorë. Ai gjithashtu mund të vendosë që trupat që ka dislokuar tashmë në Ukrainë të qëndrojnë aty për një periudhë të gjatë si një formë e diplomacisë së armatosur.
Dhe me hapat e tij diplomatikë, ai i ka siguruar vetes gjithashtu mjetet e duhura për t’u larguar nga lufta nëse situate del jashtë kontrollit ose mendon se ka fituar mjaftueshëm pa pasur nevojë të rrezikojë më shumë.
Në fund të fundit, Rusia gjithmonë ka pretenduar se nuk ka plan të pushtojë Ukrainën.
“Më pëlqen të mendoj se rusët po tregohen vigjilentë”, thotë William Taylor, një ish-ambasador amerikan në Ukrainë. “Ndoshta ata i kanë shqyrtuar kostot dhe përfitimet dhe kanë parë që kostot janë vërtet të larta.
Por edhe nëse Putin vendos të tërhiqet nuk do të jetë përgjithmonë. Për sa kohë që është gjallë, ai do të përpiqet të dominojë mbi Ukrainën.”
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al