Ballina Bota Zvicra mund të largohet nga ‘Zona Schengen’

Zvicra mund të largohet nga ‘Zona Schengen’

Këshilltarja Federale Zvicerane Karin Keller-Sutter ka paralajmëruar Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian se vendit të saj mund t’i duhet të largohet nga “Zona Schengen” nëse popullsia zvicerane voton kundër forcimit të “Frontex” – policia kufitare e BE-së – në një referendum që do të mbahet në mes të majit të këtij viti.

“Nëse ka një jo për ‘Frontex-in’, është e qartë se ne do të duhet të largohemi nga ‘Zona SChengen-Dublin’”, tha Keller-Sutter në takimin e Ministrave të Brendshëm të mbajtur në Lille, Francë javën e kaluar.

Si vend anëtar, Zvicra ka kontribuar në financimin e “Frontex-it” që nga viti 2009, e cila është agjencia përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të “Zonës Schengen”. Ndërsa buxheti i agjencisë për vitin 2020 ishte 364 milionë euro, BE-ja e ka dyfishuar buxhetin e saj për vitin 2022 në 754 milionë euro.

Si rezultat, kontributi i Zvicrës në buxhetin e agjencisë pritet gjithashtu të rritet nga 24 milionë Franga zvicerane në 2021-in në 61 milionë në 2027-ën, me një marrëveshje të qeverisë zvicerane dhe BE-së në këtë drejtim.

Megjithatë, disa politikanë dhe qytetarë zviceranë të pakënaqur me punën e “Frontex-it” kanë mbledhur 62 mijë nënshkrime, 12 mijë më shumë se ato që nevojiten për organizimin e një referendumi për t’i thënë jo rritjes së kontributit të Zvicrës në buxhetin e “Frontex-it”.

“Një refuzim për të forcuar ‘Frontex-n’ do të çonte vërtet në një tërheqje pothuajse të pashmangshme të Zvicrës nga agjencia”, u tha ajo të pranishmëve.

Nëse popullsia zvicerane vendos kundër forcimit të “Frontex-it”, Zvicra dhe pjesa tjetër e vendeve të “Schengen-it” kanë një periudhë prej 90 ditësh në dispozicion për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Zvicra do të duhet të largohet pas tre muajsh.

Zvicra nënshkroi marrëveshjen për t’u bërë pjesë e “Zonës Schengen” më 26 tetor 2004 dhe filloi zbatimin e saj më 12 dhjetor 2008. Vendi nuk është pjesë e Bashkimit Evropian megjithëse mban lidhje të ngushta me bllokun dhe ka lidhur disa prej tij ligjet, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, me ligjet e BE-së.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet zvicerane kanë frikë se një rezultat i referendumit mund të rrezikojë anëtarësimin e vendit në “Schengen”.

Në maj 2020, një tjetër referendum i shtyrë nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë u mbajt në vend, i cili synonte t’i jepte fund lirisë së lëvizjes së qytetarëve të BE-së në Zvicër. Referendumi është quajtur “momenti Brexit” i Zvicrës, megjithatë popullsia zvicerane votoi kundër tij.

@tn.lajmelokale
@tetovanews