Pa konkurrencë, politikani më popullor në Maqedoni është në fakt “kurrkush”. Qytetarët kërkojnë rrugëdalje nga oferta bardhezi e politikës së vjetër, theksojnë analistët e DW, transmeton Tetova News.
“Çfarë vjen më pas, që Mijalkov të bëhet drejtor i DSK-së, dhe Gruevski të kthehet i pafajshëm me kalë të bardhë?”, ka reaguar ish-kryeministri Zoran Zaev më 17 dhjetor, pasi Gjykata e Apelit në Shkup rrëzoi dy aktgjykime në të cilat akuzohej ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe i ktheu sërish në vendimmarrje për shkak të shkeljeve esenciale të Ligjit për procedurë penale. Dy ditë më vonë, sondazhi i IRI-t e ktheu Gruevskin me “kalin e bardhë” në listën e politikanëve me popullaritetin më të lartë në vend. Gruevski, i cili ka katër vjet që është në arrati në Hungari, ndërsa në vend vazhdojnë gjykimet dhe vendimet kundër tij, e mori vesh lajmin teksa festonte festën e emrit të tij. Në rrjetet sociale, ku komunikon aktivisht me mbështetësit e tij, ai i ka falënderuar për mbështetjen dhe besimin e tyre. Por shumë prej qytetarëve, por edhe politikanëve, rezultatet e fundit të sondazhit të IRI-t, i cili u publikua dje (19.12), i bënë ata të vënë gishtin në kokë dhe të pyesin se si është vlerësimi i një ish-politikani, të arratisur nga drejtësia, emri I të cilit është edhe në listën e zezë të SHBA.
Veçanërisht shqetësues është fakti që qytetarët kanë gjithnjë e më pak besim tek politikanët aktualë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, dhe për këtë “shpëtimi” kërkohet te ish-zyrtarët, të cilët prej kohësh janë nën hijen e ngjarjeve aktuale politike.
Pra, ish- kryeministri në arrati, Nikolla Gruevski, është “politikan më popullor” me një vlerësim prej 7%, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka besimin e 6%, si dhe njeriu i parë i BDI-së, Ali Ahmeti, i ndjekur nga Kovaçevski me 5 për qind. Gruevski fitoi popullaritetin më të madh nga 3 në 7 për qind në vetëm një vit. Krahasuar me vitin e kaluar, ish-presidenti, kryeministri dhe kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ka përmirësuar besimin e tij nga një në dy për qind.
Por, komunikologu Petar Arsovski beson se nuk ka njeri me vlerësimin më të lartë në mesin e politikanëve në Maqedoninë e Veriut. “Rezultatet e anketës për të gjithë politikanët janë në rangun prej 5 deri në 7 pikë përqindjeje, që është brenda gabimit statistikor”, thotë ai për DW, duke theksuar se nuk mund të nxirret thjesht përfundimi se Gruevski është politikani më popullor. Por ai pajtohet se rezultatet e sondazhit janë shqetësuese, sepse dërgojnë mesazhin se “askush prej politikanëve nuk kujdeset” për qytetarët.
Zhgënjim i përgjithshëm
Në të njëjtën linjë është edhe mendimi i diplomatit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. Ai tha për DW se në anketë 66% e qytetarëve kanë mendim negativ për Gruevskin dhe sipas këtij kriteri është ndër politikanët më të papëlqyer në vend, edhe pse 7 nga 100 qytetarë kanë imazhin më pozitiv për të. .
“Unë mendoj se pyetja e vërtetë dhe mesazhi kryesor qytetar nga ky sondazh është – pse pothuajse të gjithë politikanët kanë një vlerësim afër gabimit statistikor. Pa konkurrencë, politikani më popullor në Maqedoni është në fakt “askushi”, me 38%. Posaçërisht është shkatërrues fakti që për rreth 58% të qytetarëve të Maqedonisë vendi po shkon në drejtim të gabuar, krahasuar me vetëm 13% që mendojnë se Maqedonia po ecën në drejtimin e duhur”, analizon Dimitrov.
Për qytetarët, vendi është në gjendje më të keqe krahasuar me kulmin e krizës politike në vitin 2016, kur 58% ishin negativë, por më pas 20% ishin të kënaqur, beson ai. “Kjo do të thotë që në 6 vite kemi bërë rrethin e plotë. Mesazhi është i qartë. Në vend të drejtësisë fitoi partishmëria dhe korrupsioni”, thotë Dimitrov.
Por nëse atëherë kishte ndonjë shpresë në Revolucionin Shumngjyrësh, sot ka një zhgënjim të përgjithshëm. “Mendoj se qytetarët po kërkojnë rrugëdalje nga oferta bardh e zi e politikës së vjetër. Por ajo dalje nuk do të jetë një njeri, as nuk do të bjerë nga qielli. Për të dalë nga rrethi, apatia duhet të zëvendësohet me një energji tjetër – vendosmërinë dhe vetëdijen se fati i vendit është në dorën e qytetarëve”, beson ish-ministri.
Rejtingjet po bien
Rreth 45 për qind e të anketuarve në anketën e IRI janë përgjigjur se nuk janë të kënaqur me punën e asnjërit prej ministrave në qeverinë aktuale. Në listën e tre ministrave më të mirë janë emrat e kryeministrit Dimitar Kovaçevski (13%), Oliver Spasovski (12%) dhe Fatmir Bytyqi (5). Qytetarët besojnë se zëvendëskryeministri Artan Grubi (15%) dhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani (13%) nuk e kryejnë detyrën ashtu siç duhet.
Nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, 19% e të anketuarve do të votonin për VMRO-DPMNE-në. 11% e të anketuarve do të votonin për LSDM-në, 7% për BDI-në dhe 6% për Levicën. Në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar, besimi në LSDM është ulur për pesë për qind, në VMRO-DPMNE – për një për qind, ndërsa njësoj është edhe për BDI-në.
“Ka një pakënaqësi të përgjithshme me elitat aktuale politike, po i bie rejtingu edhe i LSDM-së edhe i VMRO-DPMNE-së, gjë që nuk është shkak për festë në asnjë nga blloqet politike”, thotë Arsovski.
Fakti që “rejtingu” i Gruevskit po rritet, sipas analistëve, mund të reflektojë edhe zhvillimet me Bullgarinë, proceset retrograde në marrëdhëniet me BE-në, por edhe zhvillimet e brendshme partiake në VMRO-DPMNE, përplasjen mes Hristijan Mickoskit dhe kryetares së Shkupit, Danela Arsovska dhe akuzat e ndërsjella për krim dhe korrupsion./DW – Në shqip Tetova News