Ballina Kronika Dalin PAMJET/ Si vëzhgohej nga anglezi deri në ekzekutim Ardian Nikulaj

Dalin PAMJET/ Si vëzhgohej nga anglezi deri në ekzekutim Ardian Nikulaj

6 persona kanë bashkëpunuar për të kryer vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj mesditën e 19 prillit brenda lokalit të tij në Shëngjin. Policia ka shpallur në kërkim shqiptarin Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj me të cilën Nikulaj ishte në gjakmarrje që prej vitit 1996. Autori i krimit është portugezi Ruben Saravia ndërsa bashkëpunëtorë të tij janë britanikët, Harry Simson, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt.

Ky i fundit shihet në foton lart duke u regjistruar në hotelin e viktimës në datë 11 prill. Më pas ai e ka mbajtur biznesmenin nën vëzhgim. Në videon më poshtë shihen pamjet e nxjerra nga gazetari Artan Hoxha kur autori duket që e prat viktimën dhe më pas largohet me vrap pas kryerjes së atentatit.

Ekzekutori i 51 vjeçarit, portugezi Ruben Saravia pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër pranë fshatit ku banonte familja Haxhia që dyshohet se e ka strehuar dhe e ka ndihmuar. Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkoder. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar pyetur punonjësin e karburantit i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

Ai ka qenë i kamufluar me të njëjtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar. Motomjeti dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje.

Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit. Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmëve të autorit. Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj.
Kreu i policisë njoftoi se duke qenë se të gjithë personat që bashkëpunim për ngjarjen janë larguar nga territori i Shqipërisë, policia po bashkëpunon me partnerët ndërkombëtar për arrestimin e tyre.

Ndaj të shpallurve në kërkim rëndojnë akuzat për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra. Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën. Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj. Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazabardhura. ©LAPSI.al