Rusia kërcënoi sot me një hakmarrje bërthamore pasi akuzoi Ukrainën se po përpiqej të vriste Vladimir Putinin në një sulm me dron në Kremlin. Pamjet treguan një objekt fluturues duke shpërthyer në flakë gjatë natës mbi kështjellën në qendër të Moskës, ku presidenti ka zyrën e tij dhe një apartament. 70-vjeçari Putin nuk ishte brenda në atë moment dhe nuk u lëndua, tha Kremlini. Presidenti i Ukrainës Volodymr Zelensky mohoi sot se vendi i tij kishte sulmuar Rusinë ose Putinin.
“Ne nuk sulmojmë Putinin apo Moskën. Ne luftojmë në territorin tonë. Ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona” – tha ai. Por Kremlini e cilësoi sulmin e supozuar si një “aksion të planifikuar terrorist” dhe tha se rezervon të drejtën për t’u hakmarrë. Ndaj kryetari i parlamentit rus Vyacheslav Volodin, një aleat i ngushtë i Putinit u duk se kërkonte një sulm bërthamor ndaj Ukrainës.
“Një sulm ndaj presidentit është një sulm ndaj Rusisë. Nuk mund të ketë negociata. Ne do të kërkojmë përdorimin e armëve që janë në gjendje të ndalojnë dhe shkatërrojnë regjimin terrorist të Kievit” – tha ai mjaft i nervozuar. Doktrina bërthamore e Moskës thotë qartë se forcat e tyre mund të përdorin armë bërthamore kur “vetë ekzistenca” e vendit është në rrezik. Autoritetet ruse pretendojnë se kanë rrëzuar dy mjete ajrore pa pilot që synonin kompleksin presidencial ku Putini dihet se jeton gjithnjë e më shumë gjatë luftës.
Pamjet treguan momentin kur një dron shpërtheu në flakë dhe tym në orën 2:27 të mëngjesit. Tribunat e ngritura për paradën e Ditës së Fitores më 9 maj mund të shihen në Sheshin e Kuq pranë mureve të fortesës. Një shpërthim i dytë u pa mbi çati në orën 2:43 të mëngjesit. Banorët aty pranë thanë se “panë shkëndija në qiell dhe njerëz me elektrik dore pranë murit të Kremlinit pas shpërthimit”.
Kremlini tha se dy dronë ishin përdorur në sulmin e supozuar, por ishin çaktivizuar nga mbrojtja elektronike ruse. Megjithatë pati shumë dyshime se si dronët mund të kishin kaluar unazën e mbrojtjes ajrore të Moskës. Një kanal rus në Telegram citoi burime që sugjeronin se e gjithë kjo mund të ishte inskenuar. “Shpërthimi i objekteve të tilla mbi kullat [e Kremlinit] është e ndaluar me protokoll, kështu që raportet për dromët e rrëzuar janë të pakuptimta. Ose e kanë shpërthyer vetë ose e gjithë kjo ishte një stërvitje, një performancë, që ata vendosën ta kalonin si një sulm të vërtetë” – thuhet në të.
Për të shtuar misterin, disa kanë vënë re se të paktën dy persona po qëndronin në kupolën e Kremlinit në momentin e shpërthimit. Shpërthimet vijnë pas një vale sulmesh me dron kamikaze kundër objektivave ruse në Krime dhe gjetkë. Ukraina nuk e ka pranuar rolin e saj në ato sulme dhe ka mohuar goditjet me dron në territorin rus. Edhe sot sekretari i shtypit i Zelensky e distancoi Kievin nga sulmi ndaj Moskës.
“Ne nuk kemi informacion për të ashtuquajturat sulme të natës në Kremlin. Por, siç ka thënë vazhdimisht Presidenti Zelensky, Ukraina drejton të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion për të çliruar territoret e veta dhe jo për të sulmuar të tjerët”.
Këshilltari kryesor i Zelensky, Mykhailo Podolyak tha se sulmi mund të ketë ardhur nga “aktivitetet guerile të forcave lokale të rezistencës” në Rusi. “Siç e dini, dronët mund të blihen në çdo dyqan ushtarak… Humbja e kontrollit të pushtetit mbi vendin nga klani i Putinit është e qartë. Por nga ana tjetër, Rusia ka folur vazhdimisht për kontrollin e saj total mbi ajrin. Me një fjalë, diçka po ndodh në Rusi, por patjetër nuk janë dronët e Ukrainës mbi Kremlin” – tha ai.
“Pretekst për luftë”
Zyrtarët thanë se Putin e kaloi natën e kaluar në rezidencën e tij zyrtare në Novo-Ogarevo, jashtë kryeqytetit dhe oraret e tij nuk do të ndryshojnë. Ai u fotografua më vonë në një takim me guvernatorin e rajonit të Nizhny Novgorod, Gleb Nikitin. Por foto të tilla shpesh “konservohen” paraprakisht, duke e bërë të pamundur të dihet nëse takimi është zhvilluar sot. Aleatët e Putinit reaguan ndaj sulmit të supozuar me thirrje alarmante për hakmarrje.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev – tani një zyrtar i lartë i sigurisë së Putinit – bëri thirrje për “eliminimin” e Zelensky. Në një deklaratë rrëqethëse, ai tha: “Pas sulmit terrorist të sotëm, nuk ka mbetur asnjë alternativë përveç eliminimit fizik të Zelensky dhe kabalit të tij. As që është e nevojshme të nënshkruhet një akt i dorëzimit të pakushtëzuar”.
Lideri i partisë Pro-Putin Just Rusia Sergey Mironov shtoi: “Ky është rasti shumë i vërtetë – një pretekst për luftë”. Ai kërkoi “likuidimin e kryesisë terroriste të Ukrainës. Ne kemi diçka për të goditur bunkerët e tyre.”
Ndërsa politikani i lartë Alexei Zhuravlev kërkoi: “Është e nevojshme të synohet qendra e Kievit. Shkatërroni zyrën e presidentit, shembni në tokë [parlamentin ukrainas], shtabin e përgjithshëm dhe ndërtesat që strehojnë shërbimet speciale ukrainase.”
Deputeti Mikhail Sheremet tha: “Është koha për të nisur një sulm me raketa në rezidencën e Zelensky në Kiev”.
Pretendohet se Rusia tashmë ka dështuar të vrasë Zelensky më shumë se një duzinë herësh. ©LAPSI.al
#Russia accuses #Ukraine of trying to kill #Putin with #Kremlin #drone strike#Kreml #KremlinStrike pic.twitter.com/UDCt3jGovZ
— flurudha (@flurudha) May 3, 2023