Qeveria amerikane ka miratuar shitjen prej 23 miliardë dollarësh të 40 avionëve të rinj luftarakë F-16 në Turqi – një veprim që ishte vonuar gjatë – pasi Ankaraja ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO.
Marrëveshja përfshin komplete modernizimi për 79 F-16 ekzistues turk.
Departamenti Amerikan i Shtetit i tha Kongresit se kishte miratuar gjithashtu shitjen e 40 avionëve luftarakë F-35 në Greqi, me kosto 8.6 miliardë dollarë.
Turqia ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO pas më shumë se një viti vonesë që shkaktoi tension në aleancë.
Për herë të parë, ajo bëri kërkesën për avionët në vitin 2021, por vonesa e saj në ratifikimin e ofertës suedeze për NATO-n doli të ishte një pengesë e madhe. Turqia ishte e shqetësuar për atë që e quajti mbështetjen e Suedisë për separatistët kurdë.
Por deputetët turq ratifikuan ofertën e Suedisë këtë javë dhe presidenti turk Erdogan dha nënshkrimin e tij përfundimtar.
Presidenti i SHBA Joe Biden më pas kërkoi që shitja e F-16 të miratohej “pa vonesë”.
Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022 rriti rëndësinë e Turqisë si një mburojë e NATO-s në rajonin e Detit të Zi.
Tani Hungaria është i vetmi anëtar i NATO-s që ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë, megjithëse kohët e fundit ka pasur shenja përparimi.
Vitin e kaluar, SHBA miratoi transferimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan nga Danimarka dhe Holanda, pasi pilotët ukrainas të trajnohen plotësisht për t’i operuar ato./21Media