Kombëtarja e Gambias ka përjetuar momente tmerri, para nisjes së Kupës së Kombeve të Afrikës. Futbollistët dhe i gjithë stafi u nisën me avion nga kryeqyteti i vendit, Banjul, drejt Bregut të Fildishtë.
Vetëm 9 minuta pas shkëputjes nga pista, piloti vendosi të rikthehej sërish, pasi mungonte oksigjeni në bordin e avionit. Në një postim në Instagram, ish-futbollisti i Manchester United, Saidy Janko, shkroi se shumë futbollistë patën dhimbje të forta të kokës dhe marramendje ekstreme.
Ndërkohë, trajneri belg i Gambias, Tom Saintfiet, shkroi: “Ne të gjithë mund të kishim vdekur. Të gjithëve na zuri gjumi brenda pak minutave. Unë po përjetoja vegime për jetën time. Pas 9 minutash, piloti vendosi të riktheheshim në pistë sepse nuk kishte furnizim me oksigjen. Disa lojtarë ishin në gjumë kur u rikthyem në pistë. Nëse do të qëndronim edhe pak në ajër, ne do të kishim vdekur të gjithë”.
Sapo u futëm në avionin e vogël, ne kuptuam se temperatura ishte shumë e lartë dhe nisi të na pikonte djersa. Ekuipazhi i avionit na siguroi se ajri i kondicionuar do të hapej menjëherë sapo të ishim në ajër. Megjithatë, gjithçka u bë e tmerrshme me kalimin e minutave. Nxehtësia e madhe dhe mungesa e oksigjenit na bëri të gjithëve me dhimbje të forta koke dhe marramendje. Disa ranë në gjumë menjëherë. Fatmirësisht, piloti vendosi të riktheheshim në pistë dhe ne arritëm të mbijetojmë. Kjo që ndodhi është e papranueshme dhe duhet të merren masa të menjëhershme”, tha ish-futbollisti i Manchester United, Janko.
Ndeshja e parë e Gambias në Kupën e Afrikës është ditën e hënë ndaj Senegalit. “Unë jam i gatshëm të vdes në fushën e lojës për futbollin, por jo në ajër”, tha trajneri i Gambias.